“Duhet ndryshuar mënyrë si organizohen në mënyrë që të ketë rezultat konkret”-kështu u shpreh gazetarja Kostana Morava për protestën e paralajmëruar nga opozita me 7 korrik.
Morava tha në studion e emisionit “Të vaksinuarit” në Fax News se thirrja e përhershme ka qenë për të rrëzuar regjimin e Ramës por duhet ngjallur akoma më shumë frymëzim te njerëzit që këto lëvizje të bëjnë ndryshimin më pas.
“Më vjen keq që opozita hedh shashka dhe mat audiencën. Ka vite që ka protesta, as studentët nuk dinë se ku po jetojnë. Është utopike dëshira e opozitës që do shtohet ndonjë vlerë, sepse janë protesta që ndizen si fishekzjarre dhe fiken. Ka të bëjë me mënyrën si organizohen, unë mendoj që frymëzimi që i jep popullit është ajo që bën ndryshim.
Berisha ka bërë denoncime që në një vend tjetër do të kishte rënë qeveria ndërsa këtu nuk ka ndodhur asgjë, thirrja e protestës ishte gjithmonë për të rrëzuar regjimin e Ramës. A mos duhet një formë e re për të pasur rezultat sepse nga lëvizjet e opozitës nuk më jep shpresë.
Shkojmë protestë, pastaj në shtëpi, të nesërmen ulemi kafe dhe themi ok ky vend s’bëhet. Ideja është që të ndryshojë diçka në mënyrë thelbësore. Unë s’jam kundër protestave por nuk mund të ngopemi me gjysëm luge, nevojitet një formë e re e tyre për të dhënë rezultate konkrete”-tha Morava.