Pavarësisht se e rrethuar nga shtetet të prekura tashmë nga epidemia, Kosova vijon fatmirësisht të mbetet zyrtarisht pa asnjë rast të konstatuar të koronavirusit.
Lajmi është konfirmuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës (IKSHPK), i cili ka njoftuar se analizat e tre pacientëve të dyshuar kanë rezultuar negative.
“Pacientët u kontrolluan nga ekipi i infektologëve në Klinikën Infektive në QKUK dhe iu morën mostrat për testim laboratorik në virusin SARS-CoV-2 dhe Influenza A dhe B. Ekipi i Laboratorit të Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK ka bërë testimin në virusin SARS CoV-2 dhe në influencë A dhe B me metodën rRT-PCR të tre pacientëve. Testet kanë rezultuar negative për SARS-CoV-2, domethënë të tre pacientët nuk janë të infektuar me virusin SARS-CoV-2, ndërsa dy prej tyre është Influencë B pozitiv”, thuhet në njoftim.