Kanë dalë detaje të reja nga grabitja që ka ndodhur sot pasdite në qytetin e Durrësit, ku një automjet i policisë private që po kryente transferimin e parave të një banke të nivelit të dytë është grabitur nga persona të maskuar dhe me armë.
Sipas burimeve për Fax News shuma e grabitur është rreth 7,5 milion lekë të reja.Ngjarja ka ndodhur pranë drejtorisë së Transportit Rrugor.
Shuma e parave do të transportoheshin nga Drejtoria e Trasportit Rrugor e cila ndodhej në një distancë 500 metra larg me bankën e nivelit të dytë. Bëhet e ditur se janë lekët e xhiros së arkës së Drejtorisë së Transportit Rrugor.
Ngjarja ka ndodhur pak minuta më parë në zonën e Shkozetit dhe konfirmohet nga burime të policisë lokale.
Tre personat e maskuar dhe të armatosur, pasi kanë vjedhur paratë janë larguar me shpejtësi me një automjet tip Benz në drejtim të Shijakut.
Policia është vënë në ndjekje të grabitësve.
Informacion paraprak
Sot rreth orës 16 :50, në lagjen nr.14 Shkozet, dyshohet se 3 persona me një mjet, nën kërcënimin e armës dhe të maskuar i kanë dalë përpara një mjeti (shoqëri private sigurimi) që po trasportonte lekët e Ndërmarrjes së Drejtorisë Rajonale të Transportit Durrës në një bankë të nivelit të dytë dhe i kanë marrë një shumë parash.
Efektivet e Policisë po punojnë për kapjen e autorëve të dyshuar dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Nuk jepen të dhëna të tjera për arsye hetimi.
(M.Q/Faxweb.al)