Teksa në Kuvend është duke u diskutuar për shkarkimin e presidentit Meta, deputeti ”veteran” për nga mosha Selami Jenisheri, e ka bërë mendjen top që do të votojë pro.
I pyetur me stil në rrjetet sociale, Jenisheri ka dhënë një ”pooo” të madhe për shkarkimin e Metës, ndërkohë që fotoja që shihni më poshtë tregon shumë për nivelin e ligjvënëse shqiptarë.
Nuk e kanë fare për problem që të shprehin hapur votën e tyre, edhe pse ajo supozohet që të jetë e fshehtë.
Kujtojmë se shkarkimi i Metës duhet të bëhet me shumicë të cilësuar, që nënkupton 94 vota, që për mënyrën si janë pozicionuar deputetët duket të jetë e thjeshtë për t’u arritur.
Mazhoranca dhe opozita, që vetëm e tillë nuk mund të quhet në disa raste, kanë treguar dhe më herë sinjale bashkëpunimi, ndërkohë që për votimin e Metës janë shprehur pro Myslim Murrizi apo Kujtim Gjuzi, që duket të ishin disi më opozitarë se opozitarët e tjerë.
Mes deputetëve që pritet të votojnë kundër për shkarkimin e Metës, një pjesë e të cilëve e kanë deklaruar edhe publikisht janë Adriatik Alimadhi, Lefter Maliqi, Fatjona Dhimitri apo Elda Hoti, por megjithatë duket se është e pamundur që të bllokohet shkarkimi.
Por seanca e sotme në Kuvend duket të jetë vetëm pikënisja e një serie përplasjesh të reja institucionale, pasi presidenti Ilir Meta është shprehur se nuk do të njohë asnjë vendim të parlamentit aktual, të cilin e ka konsideruar antikushtetues.
Meta ka thënë se çdo vendim i marrë prej tij është nul, ndërsa shkarkimi pritet që të jetë një objekt shqyrtimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila padyshim do të jetë nën një presion të jashtëzakonshëm, njëjtë me vendimin që pritet të japë për vlefshmërinë e zgjedhjeve lokale të 2019-tës.
(E.K/Faxweb.al)