Dhjetra mjekë dhe infermierë kanë dalë në protestë përpara QSUT-së gjatë ditës së sotme ku kërkojnë rikthimin në punë të mjekut të Urgjencës Ilir Allkja, i cili u shkarkua nga drejtori i QSUT-së Enkelejd Joti.
Mjekët kërkojnë rikthimin në punë të kolegut të tyre, për të cilin thonë se ka mundësi që të japë kontributin e tij në luftën kundër Covid, në një kohë kur çdo bluzë e baedhë është e domosdoshme. Një prej mjekëve të tjerë të Urgjencës tha se është e papranueshme që në një kohë kur mjekësia është duke u përballur me një situatë të jashtëzakonshme qeveria gjen kohë që të merret me propagandë.
Gent Stroni u shpreh se mjeku mund të shkarkohet nga puna apo dënohet, vetëm në momentet kur i shkakton një dëm pacientit, dhe në asnjë rrethanë tjetër.
“Shumë prej mjekëve janë duke u përballur me Covid, një pjesë janë ndarë nga jeta, dhe shohim se kemi luksin që të nxjerrim nga kjo luftë mjekë të vijës së parë. Para 35 vitesh thuhej se ishte armik i klasës dhe duhet të shkojë të rehabiklitohet në ndërtim, një mjek nuk mund të dënohet sepse janë asete të çmuara veçanërisht në situatën që po kalojmë.
Mjeku dënohet kur me veprimin dhe mos veprimin e tij çon në vdekjen e një personi, kjo që po ndodh është e papranueshme, jemi në përkrahje të këtij kolegu dhe jo vetëm, nesër mund ta kemi ne këtë hise. Do të duhet një ulje tensionesh, dhe është e sigurt që ky koleg do e fitojë në gjykatë çështjen e tij. Paratë e dëmshpërblimit të tij le të dalin nga xhepat e drejtuesve dhe jo nga paratë e popullit”, u shpreh Stroni, që është njëherësh dhe kreu i sindikatës së mjekëve.
“Nuk mund të dënohet një mjek se ka sharë mbretin”, tha më tej Stroni.
Mjekët thanë se protesta mund të përshkallëzohet në ditët në vijim, ku nuk përjashtohet as mundësia që të ketë një grevë, në rast se drejtuesit e QSUT-së nuk reflektojnë për vendimin që kanë marrë.
(E.K/Faxweb.al)