Fax News ka siguaruar pamje nga aksidenti i rëndë që ndodhi paraditen e sotme në Kryebushat të Shkodrës, ku humbën jetën dy turistë polakë.
Siç shihet dhe nga pamjet, mjeti me të cilin ata udhëtonin, motor, ka përfunduar i shkatërruar plotësisht pas përplasjes me një golf.
Burime bëjnë me dije se dy viktimat kanë qenë çift bashkëshortësh, dhe kishin ardhur për qëllime turizmi në Shqipëri.
Policia ka shoqëruar drejtuesin e mjetit tip Golf, dhe po hetohet në lidhje me shkaqet e aksidentit.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 11:20, në rrugën nacionale Shkodër – Lezhë, në vendin e quajtur “Kryebushat”, një automjet tip “Volkswagen”, me drejtues shtetasin D. Gj., 27 vjeç, është përplasur me një motomjet, në të cilin udhëtonin 2 shtetas të huaj polakë (turistë).
Si pasojë e përplasjes kanë ndërruar jetë drejtuesi i motomjetit, shtetasi W. M., 45 vjeç dhe pasagjerja në motomjet, shtetasja M. M., 42 vjeçe.
Drejtuesi i automjetit, shtetasi D. Gj., është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Shkodër, për veprime të mëtejshme procedurale. Nga kryerja e alkool-testit ndaj drejtuesit të automjetit, shtetasit D. Gj., ka rezultuar se nuk kishte konsumuar alkool.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po kryhen veprimet për sqarimin e rrethanave të aksidentit.