Policia e Lezhës në një deklaratë pompoze të drejtuesit të saj Oltion Bistri, njoftoi për parandalimin e një vrasje në Tiranë, edhe pse dy autorët e dyshuar me precedentë të theksuar kriminalë, nuk janë vënë në pranga.
Të vetmit që janë arrestuar janë një çift bashkëshortësh, pronarë të një lokali ku u gjetën armët, dhe dhëndri i tyre, që sipas policisë po tentonte që të fshihte provat.
Konkretisht janë arrestuar shtetasit Mark Lamkja, Nikoll Marku dhe shtetasja Marie Marku.
Policia nuk bën me dije emrin e personit që planifikohej të vritej në Tiranë, dhe as mënyrën si është parandaluar ngjarja, sa kohë që autorët e dyshuar nuk kanë rënë në pranga.
Shtetasit Edmir Vlashi dhe Hektor Ndoka, persona me precedentë të theksuar kriminal dhe rrezikshmëri ta lartë shoqërore, të dyshuar për disa ngjarje të rënda kriminale në fushën e krimeve kundër jetës dhe pronës, nuk u arrestuan, ndërkohë që vendndodhja e tyre nuk dihet ende.
Gjatë operacionit u sekuestruan 2 mina me telekomandë, me lëndë eksplozive C-4, të përgatitura gati për shpërthim, të cilat sipas të dhënave rezulton se janë prodhuar në një vend fqinj me Shqipërinë;
88.900 euro të përfituara nga aktiviteti kriminal në fushën e lëndëva narkotike dhe krimeve ndaj personit;
2 armë automatike me shënjestër optike, 2 kallashnikovë, 1 armë automatike model “Scorpions”, me silenciator me dy krehra, 1 armë zjarri pistoletë model “Glock”, me një krehër me 11 fishekë, fishekë luftarak, kapsolla detonatore, fitil zjarrrpërcejllës, 1 armë gjahu, 2 radio marrëse-dhënëse si ato të Policisë, 2 skafandra motori dhe 1 automjet.