Fax News informon se era e fortë që ka përfshirë Durrësin prej mëngjesit të sotëm, ka shkaktuar mjaft dëme në zona të ndryshme të qytetit.
Një prej zonave e cila ka pësuar dëme nga era e fortë është shëtitorja Taulantia në Vollga në lagjen nr.1 të Durrësit.
Pjesët prej druri janë shkatërruar nga dallgët e detit të cilat kanë kaluar edhe në pjesën e shëtitores për shkak të stuhisë së erës.
Dërrasat dhe leshteriku i bregdetit janë shpërndarë nëpër shëtitoren në afërsi të Sfinksit, aq e preferuar nga durrsakët. Po ashtu dëme ka patur pothuajse në të gjitha lagjet e brendshme të qytetit, kryesisht në pemë të dëmtuara apo objekte të ndryshme që era ka marrë para.
Gjatë ditës kapeteneria e portit bëri me dije se shpejtësia e erës ka shkuar 25 metra për sekond, ndërsa në det të hapur 35 deri në 40 metra për sekondë. Valëzimi në det brenda gjirit të Durrësit shkon 6 ballë ndërsa në det të hapur 8 ballë. Megjithëse ditë e shtunë, e gjithë vija bregdetare është thuajse e boshatisur, ndryshe nga fundjava e kaluar që solli një dyndje pushuesish në plazhin e Durrësit.
Si pasojë e motit të keq në Durrës, mëngjesin e sotëm kapiteneria e portit ka urdhëruar pezullumin e lundrimin të anijeve të peshkimit dhe atyre të tonazhit të mesëm deri ne përmirësimin e kushteve atmosferike. Ende nuk ka njoftim nëse do të ketë vonesa në nisjen e trageteve mbrëmjen e sotme nga Porti Durrësit në drejtim të brigjeve italiane.
(E.L/Faxweb)
Discussion about this post