Në vitin 2005, në afërsi të fshatit Raushiq, u vra Enver Haradinaj, për të mbetur një enigmë e pazgjidhshme sot e asaj dite. Vëllai i tij, Daut Haradinaj, ish-pjesëtar i UÇK-së dhe politikan i zgjedhur deputet për disa mandate, ka folur për këtë rast.
Në rrëfimin për Pressing, Haradinaj ka thënë se nga rasti i vrasjes së vëllait të tij, lehtë ka mundur të niset një vëllavrasje e re, por sipas tij këtë rrezik e kanë ndalur Ramush Haradinaj dhe ish-Presidenti Ibrahim Rugova.
Haradinaj shpreson që dora e cila vrau vëllain e tij Enverin, nuk është shqiptare. Por, sido që të jetë, kjo është punë e kryer për familjen e tij, thotë.
“Shpresoj që nuk është dorë shqiptare, por kushdo që është, me këtë rast, këtu e mbyllim”, ka rrëfyer ai.
Haradinaj beson që shërbime të huaja ishin përfshirë në vrasjen e Enverit, në mënyrë që të nxisin luftë të brendshme.
“Unë hala vazhdoj me besu që i njëjti personalitet rus, ka pas dorë në të gjitha fatkeqësitë që kanë ndodh në Dukagjin. Besoj që triumfi i Ramushit ka qenë marrëveshja me Rugovën dhe fjalimi i tij në varrim. Ka qenë mllef i madh. Ka qenë një tension. Kur e ke gjithë atë masë aty, po të ishe burrë i lig e orienton keq atë masë. Ramushi bëri një burrni, tha le të jetë kjo dhimbja e fundit për familjet shqiptare”, ka thënë Haradinaj.
“Ka një meritë të madhe dhe Presidenti Rugova, i cili thoshte se jemi vëllezër dhe shok. Ai qëndrim i tij ia vendosi kapakun edhe tensionit në Dukagjin”, ka theksuar Haradinaj.