Pas reagimit të Taulant Xhakës ku tha se trajneri i kombëtares shqiptare Xhani De Biiazi shqetësohet më shumë për lekët ndërsa vetë Xhaka për Shqipërinë, vjen reagimi i De Biazit.
Në një konferencë për shtyp para ndeshjes me Bosnjën, ai thotë se në Kombëtare ka rregulla dhe të gjithë duhet t’i zbatojnë. Ai gjithashtu thotë disa fjalë jo fort të mira për Xhakën.
“E rëndësishme është skuadra dhe jo Xhaka. Nuk e them dot të vërtetën e plotë pasi detyra ime është të mbroj lojtarin. Xhaka duhet të presë shansin e tij por lojtarët të respektojnë grupin dhe trajnerin. Për të qëndruar në grup ka rregulla. Kush nuk dëshiron të jetë pjesë e kombëtares mund të largohet” ka përfunduar De Biazi.
Mesfushori i kombëtares shqiptare, Taulant Xhaka, ka bërë një reagim të ashpër ndaj trajnerit të Xhani De Biazi. Ai ka mohuar fjalët e thëna nga trajneri dje në konferencë për shtyp, i cili u shpreh se futbollisti i Bazelit u largua nga grumbullimi i kombëtares për shkak të një problemi.
Xhaka ka konfirmuar se i ka kërkuar sqarim trajnerit për faktin që nuk u aktivizua ndaj Italisë dhe nuk ka marrë një përgjigje nga ai. Futbollisti ka pranuar se u largua nga kombëtarja për shkak të problemeve me De Biazin dhe tashmë nuk dihet se si do të jetë e ardhmja e tij në kombëtare për aq kohë sa italiani do të vazhdojë të jetë në drejtim të ekipit. Ndeshja miqësore me Bosnjën do zhvillohet nesër në orën 18:00 në ‘Elbasan Arena’.
(M.D/ Shuplaka)