Pas përfundimit të ndeshjes Itali-Shqipëri, trajneri i Kombëtares Xhani De Biazi shprehet se ndihet i kënaqur me lojën e shqiptarëve, pavarësisht disfatës 2:0.
Në një prononcim për TVSH-në pas përfundimit të ndeshjes, De Biazi e konsideroi Italinë si një skuadër shumë të fortë dhe tha se kur përballesh me një skuadër si ajo, është shumë e vështirë që ta gjesh golin.
“Kur luan me skuadra si Spanja dhe Italia, është e vështirë të gjesh golin. Mendoj se sot bëmë një ndeshje të mirë. Kundërshtari nuk e priste një sistem të tillë loje nga ana jonë. I vumë në vështirësi, por duhet të kishim shkuar deri te goli.
Ishim të organizuar, nuk u shpërqendruam asnjëherë. Kishim lojtarë që nuk janë aktivizuar mjaftueshëm në ekipet e tyre, megjithatë paraqitja e ekipit ishte e mirë. Kemi humbur një ndeshje të pranueshme për nga mënyra si shkoi.
Absolutisht nuk do ta kisha ndryshuar formacionin nëse do kisha mundësi. Lilën e hodha në fushë pasi në atë krah Italia sulmonte shumë dhe duhej një lojtar fizik. Donim të gjenim barazimin, për të provuar më pas t’i befasonim me lojtarë të shpejtë si Grezda, Llullaku apo Latifi. Gjatë lojës luajtëm me tre rreshtime, 3-4-2-1, 4-3-1-2 dhe 4-1-3-2”, deklaroi De Biazi.
Në përballjen me Italinë për eliminatoret e Kampionatit Botëror, Kombëtarja shqiptare u mund me rezultatin 2:0. Ishin italianët De Rosi dhe Imobile ata që ua shuan shqiptarëve ëndrrën për Kampionatin Botëror “Rusi 2017”. (D.D/Shuplaka)