Politika amerikane është fokusuar tek procedurat e nisura për shkarkimin e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump. Në Dhomën e Përfaqësuesve u votua për shkarkimin e tij, por tani ka nisur një debat mes demokratëve dhe republikanëve për mënyrën e hetimit penal. Kreu i republikanëve në senat, Mitch Mcconnell ka kërkuar procedurë të përshpejtuar gjykimi, pa dëshmitarë, një mundësi që ia lejon Kushtetuta.
Por për demokratët, një proces i tillë ngre dyshime për ndershmërinë e gjykimit. Për të zgjidhur situatën ka ndërhyrë drejtuesja demorkate e Dhomës së Ulët të Kongresit, Nancy Pelosi, e cila ka deklaruar se dosja nuk do të dërgohet në Senat derisa të pranohen dëshmitarët gjatë hetimit. Lidhur me këtë situatë ka reaguar edhe vetë presidenti Donald Trump, i cili përveçse hedh akuza për një proces të pabazuar në fakte, kërkon edhe një gjykim të menjëhershëm.
“Pasi demokratët më bënë një proces jo të rregullt në Dhomën e Ulët, pa avokatë, pa dëshmitarë, pa asgjë, tani i tregojnë Senatit si duhet bërë gjykimi. Dua një gjykim të menjëhershëm”, ka shkruar Donald Trump në Twitter.
(M. I./ Faxweb.al)