Deputetja Jorida Tabaku ngriti një shqetësim të fortë për gjuhën dhe qëndrimin e Elisa Spiropalit gjatë një deklarate për çështjet e integrimit. Sipas saj, gjuha e Spiropalit ishte ndarëse dhe përçmuese ndaj kundërshtarit politik, një qasje që, sipas Tabakut, është e papranueshme në foltoren e Kuvendit dhe nuk përputhet me frymën e integrimit europian.
“Me keqardhje them se që nga momenti që ju morët drejtimin e Kuvendit kemi bërë hapa pas në Këshillin e Integrimit, në Komisionin e Posaçëm, dhe në procesin elektoral,” tha Tabaku, duke theksuar se zgjedhjet janë kriteri kryesor dhe kushti i parë në procesin e integrimit, dhe se ky kriter u shkel në zgjedhjet e fundit.
Ndërkohë, debate të forta u zhvilluan edhe në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, ku mazhoranca kërkoi të mos zhvillohet seanca parlamentare më 12 qershor, duke propozuar shtyrjen e saj.
Gazment Bardhi iu përgjigj Spiropalit me ironi, duke thënë: “Ti rruga e mbarë për atje ku do të jesh më 12 qershor. Nëse nuk ke zgjidhur problemet në Shqipëri, shko e zgjidh konfliktin në Ukrainë.” Ai theksoi se nuk ka asnjë arsye për shtyrjen e seancës nga data 12 për në datën 16 qershor, pasi kjo është miratuar nga Konferenca e Kryetarëve. “Kuvendi nuk është pronë dhe plaçkë e juaja siç keni tentuar ta trajtoni kohët e fundit,” përfundoi Bardhi.
Mazhoranca argumenton se shtyrja kërkohet për shkak të mungesës së Elisa Spiropalit në seancë.