Kryeministri Rama tha në studion e “DritaremeRudinën”, se opozita është ngujuar në çadër sepse ka frikë nga reforma në drejtësi. Ai ftoi kryeopozitarin Basha që të ulen dhe të diskutojnë, madje ai nuk përjashtoi edhe një debat televiziv mes tyre.
“Kam dashur që të shkoj në çadër për të dhënë një dorë që të dalin që aty, por nuk kam qenë i mirëpritur, sepse është tokë e nxanum. Janë ngujuar aty nga frika e reformës në drejtësi, janë të mbështetur nga elita e korruptuar e vendit dhe e konsiderojnë çadrën një kështjellë të pamposhtur. Në çdo moment do ta takoja Bashën, ta shihja sy më sy, jam gati ta takoj edhe këtu në studio. Jam gati që të dialogojmë, sepse çdo moment është i rëndësishëm për Shqipërinë”, -tha Rama.
“Zgjidhja do ishte ajo që unë kam kërkuar kur kam qenë në opozitë, garanci maksimale për zgjedhjet, mekanizëm monitorimi të policisë së shtetit, e cila nuk ka shumë lidhje me zgjedhjet por për hir të akuzave që janë bërë, që policia të jetë në monitorim, një numër të lartë të monitoruesve ndërkombëtare dhe o burra në zgjedhje se nuk shof të ketë tjetër…”,- u shpreh ndër të tjera Rama.
Xhunga e ka pyetur kryeministrin se pse shumë shqiptarë e shohin këtë reformë si mundësi për të futur në burg Metën dhe Berishën.
“Shqiptarët kanë të drejtë”,- është përgjigjur kryeministri.
Rama shtoi se duhet parë që kjo reformë që do të burgosë vetëm njerëz ordinerë, por edhe politikanë, gjyqtarë dhe prokuror të korruptuar. (M.D/ Shuplaka)
Discussion about this post