Mbledhja e sotme e Këshillit Bashkiak të Elbasanit është shoqëruar me tensione dhe debate të forta mes banorëve të fshatit Muriqan dhe këshilltarëve të Partisë Socialiste. Përplasja nisi në momentin kur një këshilltar i opozitës po denonconte vështirësitë e banorëve të zonës, çka bëri që disa këshilltarë të PS të ngriheshin nga vendet e tyre, veprim që shkaktoi reagimin e ashpër të banorëve të pranishëm.
Banorët, të revoltuar nga ky xhest, e konsideruan atë si një fyerje dhe u shprehën të zhgënjyer nga përfaqësuesit e mazhorancës, të cilët, sipas tyre, kanë marrë gjithmonë vota nga zona e tyre. Ata paralajmëruan se nëse situata nuk ndryshon, në të ardhmen nuk do të lejojnë më vendosjen e kutive të votimit në fshat.
Mbledhja vijoi mes përplasjeve mes opozitës dhe mazhorancës, ndërsa tensioni mes banorëve dhe këshilltarëve të PS mbeti i lartë deri në fund të seancës.