Daniel Godelli fitoi medaljen e artë në stilin e shkëputjes, ndërkohë që Erkand Qerimaj fitoi medalje argjendi në stilin e shtytjes. Në dygarësh shkodrani arriti renditet i treti duke fituar medaljen e bronztë dhe la pas peqinasin i cili zuri vendin e 4-t.
“2-vjeçari që nuk kam bërë një garë ndërkombëtare, ndoshta ndikoi pak për keq. Gjithsesi për mua është sukses, të paktën nuk rashë poshtë arit në një stil. Do kisha shumë më shumë mundësi në stilin e shtytjes, por nuk desh fati dhe kaq. Unë vërtetë jam kapur me doping, por pasi mora këtë medalje, më vjen të pyes ku ishte faji i 2014-s që u kapa me doping. Kjo do të më sqaronte të gjitha idetë për Botërorin e ardhshëm, që është në Amerikë. Të paktën të dija se çfarë ka ndodhur atë vit, e të vazhdoj përpara. Kjo më mban peng.Për Erkandin suksesi në dygarësh quhet sukses, se të mundësh një sportist si Daniel Godelli është gjë e madhe. Normalisht duhet ta thotë me zë të lartë ‘e munda!’, por që bronzi dhe argjendi nuk besoj se vlen sa kjo (tregon medaljen e artë). Unë nuk kisha kundërshtar Erkandin në Europian. Këtë ai duhet ta ngulisë në mëndje dhe besoj e di shumë mirë. Unë kisha rival peshëngritësin rumun, që ishte me 200 kg në stilin e shtytjes. Shteti mirë bën që pret përgjigjet e analizave të dopingut për ndarjen e shpërblimeve. Siç nuk e dija në 2014-n se çfarë ndodhi, nuk e di as sot çfarë mund të ndodhë. Unë di vetëm që kam qenë i pastër në 2014-n dhe jam i pastër sot”, -tha Godelli.
Reagimi i Qerimajt:
“Për spiunët, për injorantët, e për njerëzit mediokër pa palcë kurrizore që flasin idiotllëqe, dygarëshi është klasifikimi përfundimtar në peshëngritje. E keni më poshtë e kujt nuk i pëlqen s’më intereson. Unë jam ai i vetmi që ngriti flamurin në dygarësh”,- shkruan Qerimaj në rrjetet sociale. (M.D/ Shuplaka)