Deputeti i Partisë Socialiste Fate Velaj , i ftuar në emisionin “Natë me Xhaxhiun” në Fax News ka folur për tema të ndryshme.
Duke iu referuar çështjes së integrimit të Shqipërisë në BE, Velaj tha se Shqipëria i ka përmbushur disa kritere për tu bërë pjesë e familjes europiane por jo të gjitha.
I pyetur nga Xhaxhiu se çfarë mendohej për Shqipërinë në kancelaritë europiane, deputeti i PS-së tha se ata janë optimist për Shqipërinë por theksoi se europianët “edhe pse me të qeshur, ta thonë atë që duhet të thuhet”.
“Të themi të vërtetën Shqipëria e ka bërë një progres, ata janë optimist se Shqipëria e ka kaluar pak atë ngërçin e madh. Po të shikosh edhe në këto samitet thonë keni bërë një rrugë të madhe, jini optimist, sido që të jetë njëfarë optimizmi duhet të jetë për arsyet se deprimohen ata që duan të integrohen, është një farë optimizmi që japin.
Janë miqësor zëre se i ke komshi apo djem lagje, ato që janë për të thënë, t’i lënë në tavolinë, një gjerman nuk mund të thotë gjëra që janë jashtë politikës gjermane për Ballkanin, apo një francez, ato t’i thonë ato që duan, ti thonë me të qeshur, por t’i thonë”, tha ai.
I pyetur nëse “provinca jonë” e shtypte një artist, Fate Velaj u shpreh se e rëndësishme është që edhe në hapësira të ngushta të jesh krijues.
“E rëndësishme është që edhe brenda hapësirës së ngushtë të gjesh një hapësirë krijuese, kur erdha në vitin 2013 nuk e mendova se do ishte kaq gjatë, në 2017 Rama më tha për deputet në Parlamet dhe unë e kisha bërë një pjesë të rrugës dhe unë nuk mund t’i thoja u lodha dhe po kthehem”, deklaroi Velaj.
Sa i përket politikës dhe debatit që zhvillohet në Parlament, deputeti i PS-së u shpreh se më shumë duket si diçka e skenuar pasi “përplasja” nis kur vijnë kamerat.
“Sa vijnë kameramanët fillojnë “i poshtër, i tillë” pra kemi të bëjmë me diçka më shumë skenike”, tha Fate Velaj. (B.H/Faxweb)
Discussion about this post