Megjithëse mbetet ende mister se çfarë ka ndodhur në të vërtet midis dy kryeministrave të Shqipërisë dhe Kosovës, Edi Rama dhe Ramush Haradinaj, debatit të tyre në Samitin e Berlinit, për çështjen e taksës që Kosova iu ka vënë produkteve serbe, përveç mediave vendase një rëndësi duket se i kanë kushtuar edhe mediat ndërkombëtare.
Duke komentuar ndodhit e fundit, në lidhje me këtë çështje analisti Berat Buzhala, është shprehur se: “Rama ishte kujdesur që sa herë i kishte thënë Haradinajt që ta hiqte taksën, atë ta dëgjonin edhe Merkel edhe Makron.”
Sipas Buzhalës, Rama madje nuk ishte kufizuar ta ofendonte rëndë Haradinaj, saqë për një moment ky i fundit e kishte humbur toruan nga kërkesat e tij të herëpashershme dhe kishte ofenduar kryeministrin për këtë veprim, ose sikurse thotë analisti, “Haradinaj i ishte kthyer Ramës sikur vëllai-vëllait, duke ia ofruar për desert një organ trupor.- gjë e cila do të mbetej në kujtesën e kryeministrit aqsa në fund të takimit do ta pyeste sërish: “përse me ofendove?”, ndërsa Haradinaj do t’i ankohej Ramës se po i bën shumë presion.”-përfundon shkrimin e tij analisti Buzhala.
Pjesë e shkrimit të Buzhalës:
“Në vend që ta ndihmonte, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama kishte vendosur që ta godiste kolegun e tij nga Kosova, edhe në gjuhën angleze që ta kuptonin të gjithë, por edhe në gjuhën shqipe. Rama ishte kujdesur që sa herë i kishte thënë Haradinajt që ta hiqte taksën, atë ta dëgjonin edhe Merkel edhe Makron. Pastaj, në gjithë këtë situatë Haradinaj e kishte humbur paksa toruan. Kur Rama i kishte thënë, tash në gjuhën shqipe, që ta hiqte taksën, Haradinaj i ishte kthyer Ramës sikur vëllai-vëllait, duke ia ofruar për desert një organ trupor. Mirëpo termin që Haradinaj e kishte përdorur për organin nuk ka qenë shumë brutal, më shumë është një trajtë që nënat e përdorin për fëmijët e tyre të vegjël. Duke e parë se sa është sahati, Rama kishte vendosur që të spostohej, bashkë me Thaçin, në një kauq që ndodhej diku në sallon. Kishin mbetur krejtësisht të paangazhuar dhe irrelevant. Në një fotografi që arrita ta shoh, Thaçi dhe Rama të ulur në atë kauq, dukeshin më shumë si dy burra të mërzitur në një pasdite vere, se sa si dy burrështetas që ishin pjesë e një takimi të rëndësishëm rajonal. Ajo çfarë Haradinaj i kishte thënë, Ramës i kishte mbetur pikë në kokë. Diku kah fundi i takimit i kishte thënë kryeministrit të Kosovës “përse me ofendove?” Haradinaj i është ankuar Ramës se po i bën shumë presion” .
Discussion about this post