Gazetarja Sonila Meco nuk duket shumë entuziaste lidhur me faktin se si do t’i pasqyrojnë mediat zgjedhjet e ardhshme elektorale, dhe mbi të gjitha si do reagojnë politikanët për to.
Sipas gazetares, është shumë e vështirë të ndash faktin nga e vërteta, në një kohë kur politikanët shprehen se nuk ka censurë ndaj medias, e më pas sërish ata e sulmojnë lajmin si të pavërtetë për të zhdukur aftësinë e të gjykuarit të qytetarëve që i ndjekin ato.
Pesë muaj përpara zgjedhjeve, Meco shkruan: “Sa paradoksale ngjan shprehja e shqetësimit për një epokë të ‘lajmit të rremë’ nga goja e politikanëve, sidomos këtyre të trevave tona!”
Por sipas saj, pavarësisht se qarkullojnë shumë lajme të rreme, ka ende gazetarë të cilët me prova mund të vërtetojnë afera e korrupsione pa fund të pushtetarëve.
“Çështja është se shqetësimi ‘me zemër në dorë’ ndodh në një kohë kur rritja e mundësive të kontrrolit të fakteve hedh dritë më shumë mbi politikanët. Se tek e fundit median sociale e përdor edhe kryeministri, politikanët, servilë e të paguar që pluskojnë me lajmin e rremë dhe përtej së vërtetës, ose të vërtetës sipas tyre.
Por ka ende gazetarë që mund të rendisin pa fund fakte, që diskretitojnë afera e korrupsion pushteti në hapësira ende të lira.”, shkruan Meco.
Shkrimi i plotë:
“’Lajmet e rreme’ dhe ‘përtej e vërteta’ që po trazojnë politikën ‘e vërtetë’ shqiptare
Sa paradoksale ngjan shprehja e shqetësimit për një epokë të ‘lajmit të rremë’ nga goja e politikanëve, sidomos këtyre të trevave tona!
E huazuar mirë nga fushata e fundit në Shtetet e Bashkuara, e përforcuar nga Fjalorët Oksfordit si fjala e vitit ‘post-truth’, apo epoka e ‘përtej së vërtetës’ ngjan si spiranca e radhës për t’ju përvjedhur përballjes me faktet nga ata që më shumë ankohen. E mesa duket do jetë alibia si simfoni shoqëruese e 6 muajve të stërlodhshëm elektoralë që na presin.
Për të qenë më e qartë, politika ‘post-truth’ është ai soj politike që i apelon emocioneve dhe bindjeve vetjake në krijimin e opinionit publik, duke anashkaluar faktet e duke ndërtuar përfundime sipas dëshirës.
Ndërkohë që shprehja më e qartë e paradoksit është monologu i përjavshëm kryeministror në mediat sociale (bazuar në bindjet e veta, duke i apeluar emocionalisht publikut e duke cituar fakte sipas përfundimeve vetjake), shoqëruar me shqetësimin po të kreut të qeverisë për ‘lajmin e rremë’ dhe ‘post-truth’ (përtej të vërtetës).
Por faktet (për kë ende ruan dëshirën per t’i verifikuar) dëshmojnë se kjo epokë ose ka ekzistuar prej kohësh sipas këtij përkufizimi, pra nuk është e re, ose nuk ekziston fare (si përkufizim).
Ronald Reagan tingëlloi po aq i përfshirë në erën e përtej së vërtetës 30 vjet më parë kur kërkoi ndjesë publike për çorientimin e publikut në çështjen Iran-Contra duke u mbrojtur se: ‘zemra dhe qëllimet e mia të mira më thonë se kjo çështje është e vërtetë, por faktet e të dhënat me tregojnë se nuk është’
Çështja është se shqetësimi ‘me zemër në dorë’ ndodh në një kohë kur rritja e mundësive të kontrrolit të fakteve hedh dritë më shumë mbi politikanët. Se tek e fundit median sociale e përdor edhe kryeministri, politikanët, servilë e të paguar që pluskojnë me lajmin e rremë dhe përtej së vërtetës, ose të vërtetës sipas tyre.
Por ka ende gazetarë që mund të rendisin pa fund fakte, që diskretitojnë afera e korrupsion pushteti në hapësira ende të lira.
Andaj ‘të prekurit’ rreken të na mbushin mendjen nga njëra anë se nuk ka tentativë për censurën ndaj medias tradicionale, sepse është e lirë ajo sociale. Por vrik pas kësaj turren të sulmojnë për ‘lajmin e rremë’ e ‘përtej së vërtetës’ për të zhdukur një herë e mirë aftësinë për të gjykuar, analizuar e renditur fakte të atyre që ende besojnë se e vërteta gjithsesi pluskon mbi ujë, pavarësisht përkufizimeve te thella të Oksfordit.” (D.D/Shuplaka)