Ambasadori i Bashkimit Europian Luigi Soreca ka reaguar lidhur me debatin që është hapur ditët e fundit për lejet e dhëna për ndërtimin e HEC-ve në vend e sidomos për atë që ishte parashikuar të ndërtohej në Kanionet e Holtës.
Sipas tij, është me shumë rëndësi që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjitikës të bëjë një skanim të plotë të të gjitha lejeve të dhëna në zonat e mbrojtura.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku gjatë një deklarate për mediat është shprehur më herët se aktualisht qeveria ka shumë kontrata të nënshkruara që janë jo-operative. Sipas saj, momentalisht vetëm 96 janë operative.
“Ne do të skanojmë dhe rivlerësojmë kontratat nëse janë në përputhje me ligjislacionin dhe kriteret mjedisore apo jo. Do të bashkëpunojmë me ministrinë e Mjedisit që të mos përsëriten situata të papranueshme por të veprojmë mbi bazën e një platforme mirëkuptimi me investitorët dhe me komunitetin,” – u shpreh Balluku ndër të tjera.
Ajo tha se ky proces do të kryhet përmes një pune që do të bazohet mbi kriterin e përputhshmërisë ligjore si dhe kriterin i përputhshmërisë me kërkesat natyrore dhe të komunitetit.
Ministrja deklaroi gjithashtu se do të ketë skanim të plotë për çdo projekt të licensuar.
Sipas Ballukut HEC-et e vogla vërtetë mund të sjellin përfitime ekonomike por ndonjëherë sipas saj dëmet mund të jenë disa herë më të mëdha se fitimet.
Ajo lajmëroi ngrirjen e të gjitha kontratave jo-operative deri në procesin e plotë të skanimit të tyre.
(F.GJ/FAXWEB.AL)