Siç ishte paralajmëruar që prej disa ditësh, Komisioni Europian ka dhënë rekomandimin e tij për Shqipërinë në raportin e dorëzuar sot në Këshillin Europian.
Komisioni ka dhënë një rekomandim pozitiv për Shqipërinë, pa kushte të tjera shtesë. Sapo në Bruksel nisi transmetimi live i konferencës, në Tiranë “shpërtheu” festa. Ambasadorja Vlahutin shkoi vetë në zyrën e Ramës për t’i dhënë lajmin.
Në deklaratën e tij këtë pasdite, pas konferencës për shtyp prej nga Mogherini prezantoi raportin, kryeministri Edi Rama e quajti 17 prillin “Një kapitull të ri për shtetin tonë” duke thënë përgjatë fjalimit të tij se dhënia e sotme të rekomandimit është hyrje e Shqipërisë në një fazë të re.
Duhet sqaruar se sot nuk u hapën negociatat por vetëm se KE dha rekomandimin pozitiv për to. Hapja ose jo e negociatave do të vendoset nga votimi i të gjithë vendeve anëtare të BE, në qershor ose në dhjetor të këtij viti.
Por sot nuk është hera e parë që Shqipëria merr këtë rekomandim…
Komisioneri për zgjerimin e BE, Johannes Hahn e dha rekomandimin pozitiv për hapjen e negociatave me Shqipërinë, për herë të parë në mars të vitit 2016, duke theksuar përmbushjen e 5 prioriteteve kyç të anëtarësimit.
Në 22 korrik të atij viti ishte miratuar me votë unanime në Kuvendin e Shqipërisë, paketa e Reformës në Drejtësi, kurse në shtator u miratuan ligjet e Vettingut.
“Rekomandimi për hapjen e negociatave do të kushtëzohet nga progresi që do të bëhet në lidhje me zbatimin e reformës në drejtësi, në mënyrë të veçantë për sa i përket rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve (i ashtuquajturi procesi vetingut).” – tha Hahn në nëntor të vitit 2016.
Në rekomandimin e nëntorit 2016, kushti kryesor ishte zbatimi i Reformës në Drejtësi dhe pastaj vinin me rradhë kushtet e tjera që ishin: zbatimi i ndryshimeve në kodin zgjedhor për zgjedhjet e vitit 2017, hapat në luftën kundër korrupsionit me miratimin e ligjit për mbrojtjen e sinjalizuesve (spiunëve), lufta kundër krimit të organizuar me shkatërrimin e plantacioneve të kanabisit, përafrimi i legjislacionit vendas me atë evropian sa i takon të drejtave të njeriut si dhe reformat ekonomike edhe pse papunësia mbetej e lartë. Në fund të rekomandimit, shqetësim për KE mbetej numri i lartë i azilkërkuesve shqitparë në vendet e BE-së.
Kjo rezolutë e komisionerit Hahn, u prit jashtëzakohnisht keq në nëntor të 2016 nga Gjermania dhe veçanërisht nga Holanda. Me sa duket, pavarësisht zemërgjerësisë së KE, kriteret ishin larg të qenit të përmbushur.
Pra më së paku, sot kryeministri Rama duhet të ishte treguar i sinqertë e të përmendte përpjekjet e qeverisë në shkuarën sepse “kapitulli i ri” qenkësh hapur njërherë, dy vite më parë.
Po çfarë shkruhet në rekomandimi e sotëm të Komisionit Evropian?
“Në kuadër të progresit të arritur, Komisioni rekomandon që Këshilli të vendosë që negociatat e anëtarësimit të hapen me Shqipërinë, duke ruajtur dhe thelluar momentin aktual të reformës në fushën kyçe të sundimit të ligjit, në veçanti në të pesë prioritetet kyçe, dhe duke vazhduar të japë rezultate konkrete dhe të prekshme në rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve (vetting).”
Gjithë ç’mund të kuptohet ndër këto rreshta, të ngjashme si dy pika ujë me ato të marsit 2016, është se Shqipëria duhet të presë samitin e vendeve anëtare të BE në qershor dhe votën e tyre. Noshta pastaj mund të nisë festa.
Ose e thënë ndryshe e shkoqur, siç shkruan gazetari Lutfi Dervishi në Facebook: studenti i dhjetorit ’90, do të jetë pensionisti i vitit kur Shqipëria do të anëtarësohet në BE. Pra 40 vite e kusur për t’u bërë anëtarë!
Edi Rama në nëntor 2016 për rekomandimin pozitiv për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE:
Edi Rama në prill 2018 për rekomandimin pozitiv për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE:
Egon Loli- Faxweb.al