Presidenti i Republikës Ilir Meta do të zhvillojë një konferencë të jashtëzakonshme për mediat në orën 18:30 të mbrëmjes së sotme me gazetarët, ndërsa kjo vjen pas ngjarjeve më të fundit lidhur me përjashtimin nga pjesa e trupës së Gjykatës Kushtetuese pak ditë pas betimit të Besnik Muçës, emër i propozuar nga Kreu i Shtetit.
Ndërkohë vetëm pak minuta më parë, Departamenti i Shtetit tha se “është në dijeni” të komenteve të Presidentit Ilir Meta ndaj ambasadës së Shteteve të Bashkuara dhe diplomatëve amerikanë dhe se “është duke e vëzhguar situatën”.
Burime për Faxweb.al bëjnë me dije se menjëherë pas kopnferencës me gazetarët, Presidenti Meta do të ketë edhe një reagim për deklaratën e DASH.
Pas sugjerimit të djeshëm të ambasadës amerikane në Tiranë që Shqipëria t’i drejtohej për opinion Komisionit të Venecias lidhur me përplasjen për çështjen e emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti Meta u shpreh me një gjuhë të ashpër duke thënë “Jo më shtet të ambasadave, por shtet të së drejtës”.
Duke iu përgjigjur interesimit të Zërit të Amerikës për komentet e djeshme të Presidentit Meta, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit tha se “respektimi i ligjit është mbi të gjitha”.
“Qëndrimi i Shteteve të Bashkura nuk ka ndryshuar”, thotë zëdhënësi, duke shtuar se “vazhdimi i përparimit me reformat është jetik për stabilitetin dhe begatinë e Shqipërisë, si dhe për çuarjen përpara të synimit tonë të përbashkët, atë të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”.
Shtetet e Bashkuara, shton më tej zëdhënësi, “do të vazhdojnë të mbështetin Shqipërinë si një vend mik, partner dhe aleat, teksa vendi kryen reforma jetike”.
“SHBA-të janë si yll, janë si shpirt”, Meta nuk përmbahet, zbulon ”asin e fundit” nën mëngë
(F.GJ/FAXWEB.AL)