Kreu i grupit parlamentar në PS Taulant Balla, përmes një deklarate urgjente në Kryesinë e Kuvendit, njoftoi se partia e tij ka depozituar në Kuvend kërkesën për shkarkimin e Ilir Metës. Kjo kërkesë kërkonte të paktën 35 firma deputetësh, që socialistët i kanë grumbulluar prej disa ditësh.
Sipas Ballës kërkesën për shkarkimin e presidenti Meta e kanë nënshkruar 55 ligjvënës, me arsyetimin se dekreti i kreut të shtetit për shtyrjen e zgjedhjeve është në shkelje me Kushtetutën.
Pas kësaj nisme të socialistëve, kërkesa e tyre do të lexohet nga Gramoz Ruçi në Kuvend, dhe më pas do të kalojë për diskutim në Komisionin e Ligjeve.
Ky komision do të hetojë lidhur me shkeljet e aktit të Metës, ku nuk përjashtohet që vetë presidenti të thërritet për t’u pyetur.
Pas kësaj për shkarkimin e Metës do të duhet të votojnë 94 deputetë, dhe më pas çështja do të duhet që të kalojë në Gjykatën Kushtetuese, e cila është jashtë funksionit.
“Në bazë të dekretit të presidentit në muajin Nëntor është caktuar si mbajtje e zgjedhjeve data 30 qershor. Kanë filluar të gjithë procedurat për bërjen të mundur të gjitha procedurat. Janë ngritur komisionet për KZAZ-Të, ka filluar fushata zgjedhore, është bërë fleta e votimit, janë përzgjedhur kandidatët.
Po vijon puna për zhvillimin e zgjedhjeve. Arsyet e Metës për anulimin e zgjedhjeve kanë të bëjnë me shqetësimin e Metës se do të ketë trazira. Në lidhje me shkeljet e Kushtetutës dekreti numër 11 mijë 199 bie në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e vendit dhe funksionet e shtetit.
Së pari është cënuar ushtrimi i sovranitetit nga populli. Sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit. Me dekretin numër 11 e 1199 të këtij viti Presidenti anuloi zgjedhjet, në këtë kuptim presidenti i ka hequr sovranit të drejtën për të votuar. Është kërcënuar sovrani. Anulimi i dates së zgjedhjet të 30 qershor, humb të drejtën e sovranit. Kjo është shkelje flagrante e Kushtetutës”, u shpreh Balla gjatë fjalës së tij nga Kryesia e Kuvendit.
(E.K/Faxweb.al)