Pas deklaratave të deputetes së PDIU-së Mesila Doda, e cila pak ditë më parë kërkoi pavarësinë e “Iliridës”, reagon ashpër partia e Zoran Zaevit.
Sipas deklaratës për shtyp të LSDM-së, maqedonasit ndjehen të provokuar nga kjo kërkesë e deputetes. Sipas LSDM-së, deklaratat e Dodës çojnë në ndarje dhe përçarje.
“E dënojmë retorikën provokative në deklaratat e deputetes në Parlamentin e Shqipërisë, Mesila Doda, që ka të bëjë me Republikën e Maqedonisë, e cila nuk është në shpirtin e ndërtimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe në respektimin e ndërsjelltë mes dy vendeve. Qasje të këtilla shkojnë në dobi, vetëm të atyre që krijojnë ndarje dhe punojnë për rritjen e mosmarrëveshjeve dhe jotolerancës, përkundër vlerave evropiane për të cilat jemi përcaktuar”, thuhet në deklaratën e LSDM-së.
Pas deklaratave të deputetes kanë reaguar ashpër edhe mediat maqedonase, të cilat shkruajnë se Maqedonia do ta shpallë “non grata”.
“Do të them dy fjalë për një krahinë që më rrinë fortë në zemër, është vendi karshi, Ilirida, krahinë e moçme shqiptare që edhe emrin sot ia kemi harruar. Dikush i thotë Maqedoni, dikush i thotë FYROM, ne i themi Ilirida!”, deklaroi Mesila Doda në Dibër.
Sipas “24vesti.mk”, deklarata e deputetes shqiptare është e rrezikshme për Maqedoninë. (D.D/Shuplaka)