Para disa ditësh Rama ‘’akuzonte’’ Bashën se po ndikohet nga qarqe ruse për vijimin e protestës. Kjo deklaratë e tij u mohua nga ana e liderit demokrat duke thënë se ai kishte pasur një takim të zakonshëm me ambasadorin rus.
‘’Këto deklarata janë përralla. Këto i thotë njeriu që deshi të bëhej diktator por që shqiptarët ja prishën ëndrrën. Unë sot kam patur një takim me ambasadorin e Rusisë në një takim publik. Është një takim në kuadrin e një kontakti normal që PD ka me gjithë përfaqësuesit e huaj në Shqipëri. Kontakte me qarqe të huaja që të diskutoj fatet e Shqipërisë PD nuk ka dhe nuk do të ketë”, deklaronte Basha.
Ndërkohë në përgjigje me fjalët që qarkuluan ka reaguar edhe ambasada ruse në Tiranë duke dhënë shpjegimet e saj në lidhje me takimin dypalësh.
DEKLARATA RUSE
“Më 13 mars 2017 Ambasadori i Rusisë në Tiranë, z. Aleksandër Karpushin, zhvilloi një takim me Kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë z. Lulzim Basha.
Bashkëbiseduesit diskutuan për zhvillimet e fundit në politikën shqiptare, si dhe për situatën aktuale në rajon, përfshirë këtu në Maqedoni dhe Kosovë. Një vëmendje e veçantë iu kushtua marrëdhënieve dypalëshe Rusi-Shqipëri. Në këtë kontekst Ambasadori rus nënvizoi se parimi bazë i politikës së jashtme të Rusisë është ai i mosndërhyrjes në punët e brendshme të vendeve të tjera.
Karpushin theksoi gjithashtu se Federata Ruse vlerëson se ekzistojnë mundësi të pashfrytëzuara për të rritur bashkëpunimin ekonomik pragmatik mes dy vendeve tona dhe shpreson se në të ardhmen të punohet për të rritur nivelin e këtij bashkëpunimi. Ambasadori shprehu besimin se një impuls të fortë shkëmbimeve dypaleshe ekonomike do t’i japë takimi në muajin prill në Tiranë i bashkëkryetarëve të Komisionit Ndërqeveritar Rusi-Shqipëri për Tregtinë, Bashkëpunimin Ekonomik dhe Tekniko-Shkencor, si dhe sesioni i ardhshëm i këtij Komisioni qe pritet të mbahet ne vjeshtë, kur të formohet qeveria e re shqiptare.
Ambasadori Karpushin dhe z. Basha e vlerësuan si konstruktiv një komunikim të tillë dhe ndanë një bindje të përbashkët se pikëpamjet e ndryshme në disa çështje nuk duhet të pengojnë përpjekjet për të eksploruar fusha të bashkëpunimit reciprok”. (E.K/SHUPLAKA)