Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Mirela Karabina ka reaguar mbi deklaratat e kryeministrit Rama për prestigjozen ‘Financial Times’.
Rama u shpreh se Kosova vitet e fundit është shndërruar në një tokë të askujt ku kombinohen të gjitha llojet krimeve me nacionalizmin. Kufiri mes krimit dhe politikës është fshirë, u shpreh Rama ndër të tjera për ‘Financial Times’.
Karabina shprehet se me këto deklarata shtohet dhe më shumë dyshimi se kujt po i shërben kryeministri Rama. Ndaj ajo kërkon që Rama të japë sqarime për qëndrimet e tij në dëm të Kosovës.
DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ZËDHËNËSJA MIRELA KARABINA
Edi Rama duhet me urgjencë të japë sqarime për qëndrimet e tij për Kosovën.
Deklarata e fundit në Financial Times se:
“Kosova është një pikë e nxehtë. Me kalimin e viteve është bërë toka e askujt ….” e shton dhe me shumë dyshimin se kujt po i shërben Edi Rama.
Por fatkeqësisht aleanca e kullave e gjeti gjuhën sot për të pastruar Edi Ramën dhe për ta çliruar atë nga detyrimi për të dhënë llogari për deklarata skandaloze e në dëm të shtetit të Kosovës.
Nga Shqipëria dhe Kosova i kërkohet kryeministrit të japë sqarime për qëndrimet e tij në dëm të Kosovës,ndërsa aleanca e kullave në konferencën e kryetarëve vendos qe ai nuk ka pse të japë sqarime.
Fshehja pas gjoja mocionit me debat, është thjesht një përpjekje për t’i dhënë mundësi Edi Ramës të ikë nga përgjegjësia e tij.