Deklaratat e Tahirit, s’përmbahet Luan Rama: Ku të përdhunuarat gjykohen,Deklaratat e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri në konferencën për mediat ditën e sotme, ku paraqiti dokumentin se ai tashmë nuk ishte në hetim nga autoritetet italiane pasi nuk rezultonte i përfshirë në trafikun e drogës, kanë shkaktuar reagime të forta nga kampi opozitar.
Tahiri përveç se dha lajmin se ai ishte i pafajshëm sipas autoriteteve italiane, sulmoi ashpër dhe opozitën “për baltën që kanë hedhur ndaj tij”.
Në lidhje me këto deklarata të Tahirit, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka reaguar edhe deputeti i LSI-së Luan Rama. Ai shkruan se “Në këtë vend ku banditi prej kryetarit të partisë bëhet deputet a ministër, e pastaj të gjithë, ministra e deputete shërbëtorë të krimit, ku trafikanti e krimineli bën moral e pafytyrësinë e shet para kamerave për krenari, ku kryeministri merr në mbrojtje horrat, e si zëdhënës i tyre kërcënon kundërshtarët politikë e iu kanoset punonjësve të shtetit që denoncojnë kriminelët, nuk mbetet tjetër veç të kujtojmë vargjet e poetit kur prej dhembjes e dëshpërimit shprehej”:
“Eja kënga ime, s’kemi ç’rrimë,
Mes kësaj rrëmuje pa kuptim,
Vrasësi ku hiqet për viktimë,
Dhe viktimës i kërkon shpagim.
Ku të përdhunuarat gjykohen,
Me të rrugës ligj, nga prostitutat,
Ku të marrë e t’urtë përgojohen,
Dhe servilët, porsi minj nga skutat,
Dalin rrahin gjokset dhe mburren,
Se luftuan vrimash si heronjtë,
Kuajve të ngordhur tek u turren,
Për t’u hequr me nxitim patkonjtë”.
(B.H/Faxweb)