Inskenojnë vjedhjen e një automjeti të shtrenjtë me qëllim shitjen e tij, Policia vë në pranga një shtetas dhe shpall në kërkim dy të tjerë.
Në vijim të ngjarjes ku më datë 31.10.2019, shtetasi Gëzim Hasani, i cili ndodhej prej disa ditësh me pushime në Vlorë, kallëzoi se i kishin vjedhur automjetin tip “Mercedes Benz S Class 63 AMG”, menjëherë filluan hetimet për zbardhjen e ngjarjes.
Nga hetimet e kryera, Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve bënë zbardhjen e plotë të ngjarjes, ku ka rezultuar se shtetasi Gëzim Hasani ka bërë kallëzim të rremë para organeve të policisë për arsye se në bashkëpunim me dy shtetas të tjerë kanë dashur ta shesin automjetin në fjalë për qëllime përfitimi.
“Mercedes Benz S Class 63 AMG” i vitprodhimit 2019, shtetasi Gëzim Hasani, e kishte blerë në Gjermani me këste nga një kompani.
Ky automjet kap vlerën 180 000 €uro (njëqind e tetëdhjetë mijë euro) nëse do të shitej sipas planit të bashkëpunëtorëve të mësipërm.
Në përfundim të veprimeve, u bë ndalimi i shtetasit Gëzim Hasani, 29 vjeç, nga Kosova por me banim në Gjermani, si dhe u shpallën në kërkim dy shtetasit e tjerë, italiani M.C dhe tjetri nga Kosova F.H.
Materialet iu referuan Prokurorisë në ngarkim të tyre për veprat penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim dhe “Kallëzimi i rremë”.