PD u tërhoq nga gara për Kukësin duke bërë dy deklarata të ndryshme në Facebook.
Ndryshe nga deklarata e parë, në postimin e bërë disa minuta më pas, mungojnë disa paragrafë.
Paragrafët në deklaratën e fshirë akuzojnë PL-në që drejton koalicionin e opozitës se janë përfitues sipas tyre të pazareve dhe qokave të “rilindasve të Ramës”.
Në paragrafin tjetër, shkruhet se si demokratëve të PD-së, nuk u është marrë në konsideratë asnjë kërkesë për të cilat thonë se kanë pasur synim bashkimin e opozitës, ku shtojnë këtu dhe “komandimin nga Tirana”, gjë që thonë se bëhet për interes të Kryeministrit Rama.
PD Dega Kukës, pranon humbjen e 14 majit, si një rezultat të përçarjes së demokratëve.
Këto kanë qenë disa nga argumentet e tërheqjes nga gara, të cilat në deklaratën tjetër të postuar mungojnë.
Paragrafët e fshirë: Kjo garë nuk duhet absolutisht të jetë një garë për pazare dhe qoka oligarkësh mes rilindasve te Ramës dhe përfituesve të PL së Metës.
Megjithatë, në rrethanat kur PD , institucionet e saj lokale dhe qëndrore, këmbëngulën për më se dy muaj për një bashkim gjithëpërfshirës të faktorëve opozitarë ne Kukës, me qëllimin e vetëm kthimin e qeverisjes lokale tek e djathta,në shërbim të qytetarëve, çdo kërkesë e jona u pa se ra në vesh të shurdhët.
Jo të gjithë patën të njëjtin vullnet me Partinë Demokratike. Duke anashkaluar dhe vullnetin e familjes së madhe të demokratëve të Kukësit, komandimi nga Tirana,në dëm të interesave të qytetarëve kuksianë, për të mbrojtur interesat e individëve dhe tregtarëve me oligarkët e Ramës po rrezikojnë një përsëritje të 14 majit.
Të gjithë ne, kemi humbur shumë prej frymës së konfliktit, përçarjes, unit dhe interesave të individit.
Ndaj në kushtet e krijuara pas “nxitimit’ me “primare” të paracaktuara dhe caktimit të kandidatit, Partia Demokratike është e përkushtuar pa asnjë rezervë dhe paragjykim , që të mos krijojë kushtet për një ndarje akoma më të thellë të demokratëve në dëm të qytetarëve të Kukësit.
Partia Demokratike nuk do të bëhet kurrë “trau I dytë” I humbjes, në dëm të demokratëve dhe qytetarëve kuksianë.
Lexo më poshtë deklaratën e parë:
Demokratët bëhen bashkë në Kukës, PD tërhiqet nga gara për t’ia lënë vendin koalicionit
Deklarata e dytë: DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE DEGA KUKËS
Partia Demokratike Dega Kukës, duke ndjekur me përgjegjësi të lartë politike dhe morale situatën e krijuar në Kukës, pas diskutimeve dhe konsultimeve me anëtarët dhe strukturat drejtuese të Partisë Demokratike Dega Kukës; duke vlerësuar se interesi i demokratëve dhe i të gjithë qytetarëve të Kukësit që duan ndryshim është rrëzimi i qeverisë, në kushtet e kohës së shkurtër dhe të pamjaftueshme për të riorganizuar degën e partisë pas pasojave tepër negative të frymës së konfliktit të ndezur padrejtësisht mes demokratëve, gjykojmë se tani është koha që së pari të fokusohemi te ringritja e degës së Partisë Demokratike, krijimi i alternativës që presin qytetarët e Kukësit dhe në betejën për rrëzimin e kësaj qeverive, që po i varfëron çdo ditë e më shumë shqiptarët.
Për këtë arsye, ne nuk do të propozojmë kandidat për zgjedhjet për Bashkinë e Kukësit.
Partia Demokratike Dega Kukës qëndron fuqimisht në mbrojtje të interesave të kuksianëve, në mbështetje të tyre. Kuksianët meritojnë një alternativë që do t’u shërbejë atyre dhe jo gara të paracaktuara nga oligarkët në kurriz të demokratëve.