Deputeti i LSI-së Edmond Panariti në një deklaratë për mediat ka thënë se miratimi i “variantit të korrigjuar” të dekretit të presidentit për ligjin e Teatrit Kombëtar në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, ishte antikushtetues.
Ai tha se deputetëve të opozitës u është ndërprerë fjala dhunshëm dhe nuk janë lënë të shprehin mendimet e tyre për dekretin e presidentit.
Panariti deklaroi se opozita ishte pro miratimit të dekretit të presidentit në tërësi, dhe jo thjeshtë të ketë disa ndërhyrje.
“Në mënyrë të dhunshme deputetët e opozitës nuk u lejuan të shpreheshin për dekretin e Presidencës. Gjërat po bëhen alarmante.
E vetmja rrugëdalje, ishte votimi pro në tërësi i dekretit dhe kjo u bë, dhe në këtë moment ligji ikën i gjithi dhe ne çliroheshim nga antikushtetutshmëria”, tha ai.
Dekretin e presidentit ai nuk e konsideroi të miratuar, pasi bëhet fjalë thjesht për një “variant të riformatuar” nga maxhoranca.
“Nuk e konsideroj të miratuar se bëhet fjalë për variantin e riformatuar nga maxhoranca pa diskutuar me ne. Nuk u lejuam të flisnin”, tha Panariti.
I pyetur për “vijën e kuqe” të opozitës për çështjen e Teatrit Kombëtar, Panariti u shpreh se opozita do mblidhet dhe do diskutojë për të marrë një vendim.
“Do të konsultohemi, dhe vendimi do të merret në të ardhmen , por jemi në antikushtetutshmëri të plotë”, tha ai.
“Ai variant u miratua me shpejtësi dhe në fshehtësi. Presidenti është shprehur qartë, edhe ne u shprehëm qartë por për variantin aktual të presidentit jo për variantin e korrigjuar të maxhorancës.
Në këtë pikëpamje jemi në kushte flagrante të shkeljes së parlamentarizmit”, deklaroi Edmond Panariti.
Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese miratoi sot në parim dekretin e presidentit që ktheu për rishqyrtim ligjin për Teatrin Kombëtar. Por opozita nuk mori pjesë në votim pasi konsideroi se ligji duhet të binte i tëri dhe jo thjeshtë të rifomatoheshin disa nene.
(B.H/Faxweb)
Discussion about this post