Mbrëmjen e djeshme Policia e Vlorës njoftoi për një qytetar që ishte plagosur në rrethana të paqarta, ndërkohë që burime bëjnë me dije për Faxweb.al se kemi të bëjmë me një atentat, që për fatin e mirë nuk shkoi si duhet.
Mësohet se personi që mbeti i plagosur është shtetasi Edison Begaj, 38 vjeç. Atentati i është bërë në ambientet e banesës së tij në fshatin Kaninë.
38-vjeçari është qëlluar me katër plumba në pjesën e poshtme të trupit, në këmbë, ndërkohë qe ndodhet nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën.
Begaj nuk është një emër i panjohur për policinë e Vlorës dhe jo vetëm, pasi ai ka qenë subjekt i Operacionit Forca e Ligjit, në maj të vitit të kaluar, ku i është kërkuar që të deklarojë pasurinë e tij. Ai ka qenë i arrestuar më herët në Vlorë dhe në Itali, për trafikun e sasive të mëdha të drogës.
Begaj ka qenë i dënuar nga Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda Tiranë me 7 vite e 6 muaj burgim, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e municioneve luftarake”.
Ende nuk është kapur autori dhe nuk dihet shkaku i plagosjes.
Njoftimi i dhënë mbrëmë nga Policia e Vlorës:
Më datë 29.05.2021, rreth orës 23:30, në spitalin e Vlorës, ka shkuar i plagosur dyshohet me armë zjarri në rrethana ende të paqarta, shtetasi E. B, 38 vjeç, banues në fshatin Kaninë, Vlorë, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë e rrethanave të ngjarjes.
(E.K/Faxweb.al)