Kastriot Dermaku bëhet protagonist për Lukezen në Serinë C italiane. Mbrojtësi, i cili pritet të jetë risia e listës së Shqipërisë për ndeshjen e radhës me Italinë, ka shënuar në ndeshjen e fundit të skuadrës së tij kundër AC Pratos.
25-vjeçari shqiptar i lindur në Itali realizoi në minutën e fundit pas një goditjeje me kokë, por që nuk mundi të shpëtonte nga humbja 3-2 Lukezen.
Me mungesën e Mërgim Mavrajt të dëmtuar dhe Berat Gjimshitit të pezulluar, pritet që De Biazi t’i japë një shans Dermakut ndaj Italisë.
Pak javë më parë trajneri ka vëzhguar qendërmbrojtësin në një prej ndeshjeve të Lukezes, por gjithsesi mbetet për t’u parë nëse do ta grumbullojë për takimin e 24 marsit. Dermaku është në pronësi të klubit të Empolit, që këtë sezon e ka dhënë në formë huazimi te skuadra e Serisë C.