Presidenti i Partizanit, Gaz Demi, është gjithmonë e më shumë i drejtpërdrejt dhe shpërthyes. Duket se ky sezon e ka bërë më agresiv ndaj padrejtësive dhe akuzave. Ndryshe nga katër vite më parë kur ishte më i qetë, Demi denoncon sistemin, gjyqtarët dhe atë që ai e quan “paçavure”.
“Ju po e shihni se çfarë maskarade po bëhet këtu. Ka vetëm intriga dhe poshtërsi. Burrat zakonisht flasin përballë. A e kuptoni se çfarë paçavure është këtu?! Unë jam biznesmen prej 25 vitesh dhe kujtoni ju sikur unë nuk di t’i bëj ato që bën FSHF apo këta gjoja presidentë?!”, thotë Demi ndër të tjera në intervistën e tij për “Panorama Sport”.
Ndërsa ka një përgjigje edhe për presidentin e Kukësit, Safet Gjici, i cili, një javë më parë, deklaroi se Vllaznia po luante për Partizanin. “Përgjigjen ia ktheu Armando Cungu atij (Gjicit) dhe nuk dua të merrem me këta pazarxhinjtë e Shqipërisë. Unë shoh skuadrën time dhe nuk merrem me logje”, tha Demi.
Çfarë note do t’u vendosni gjyqtarëve nga 1 deri në 10 për paraqitjen që kanë bërë deri tani këtë sezon?
4.5.
Përse kjo notë, nëse keni shpjegim?
Çfarë shpjegimi të kem më shumë?! Përpara disa ditësh kam lexuar te gazeta juaj gjithçka ka ndodhur deri tani me kampionatin shqiptar për sa i përket moviolës dhe gabimeve arbitrare. Dhe Partizani renditej i parafundit ose dy vende para fundit. Edhe këtë notë 4.5 e dhashë shumë duke i mbajtur me hatër.
Ju po e shihni se çfarë maskarade po bëhet këtu. Ka vetëm intriga dhe poshtërsi. Burrat zakonisht flasin përballë. A e kuptoni se çfarë paçavure është këtu?! Unë jam biznesmen prej 25 vitesh dhe kujtoni ju sikur unë nuk di t’i bëj ato që bën FSHF apo këta gjoja presidentë?! A po ka ndonjëri para më shumë se mua nga këta?!
Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, përpara një jave deklaroi se Vllaznia luante për Partizanin, në një kohë që skuadra juaj u ndal në Shkodër. Ndonjë përgjigje për homologun tuaj Gjici?
Përgjigjen ia ktheu Armando Cungu atij dhe nuk dua të merrem me këta pazarxhinjtë e Shqipërisë. Unë shoh skuadrën time dhe nuk merrem me logje. E patë vetë ju që në ndeshjen me Vllazninë nuk na u akorduan dy penallti. Mendoni se ka arbitra aq trima sa ta bëjnë vetë atë?!
Mendoni se gjyqtarët urdhërohen nga lart?
Këtë do ta shohim, pasi pa pasur fakte nuk mund të them nëse janë të urdhëruar nga lart ose jo. Por, që është një çorbë e madhe nga i pari deri tek i fundit, kjo nuk diskutohet.
Në gjithë këtë kaos, siç po thoni, mendoni se mund t’ia dilni deri në fund dhe të fitoni titullin?
Është një fjalë që nuk e kemi shpikur ne shqiptarët. “E vërteta vonon, por nuk harron.” Ne do të jemi të vetëm trima në luftë. Në gjithë këtë maskaradë, ka edhe njerëz të ndershëm. Megjithatë, edhe pak njerëz mund ta prishin. Një histori ku futen edhe interesa meskine dhe gjëra të këtij lloji. Siç funksionon e gjithë Shqipëria në përgjithësi. Është turp që ky sistem i keq është futur edhe në futboll.
Është përfolur se Armando Cungu do të jetë trajneri i ri i Partizanit për sezonin e ardhshëm. Sa e vërtetë është kjo?
Që të jem korrekt me ju deri në fund, nuk ka asnjë vërtetësi. Ne si klub punojmë me idenë që çdo vit të bëjmë një gjë më të mirë. Siç e keni parë gjatë këtyre katër viteve me organizim, investime dhe gjëra të tjera. Mund të ketë disa emra. Por, unë, duke qenë se nuk futem te pjesa teknike, stafi im deri tani nuk më ka thënë asnjë emër konkret. Deri tani nuk kemi vendosur asgjë. Janë të gjitha muhabete që i bëjnë këta ordinerët lart e poshtë.