Ftesa e koalicionit qeverisës ndaj Partisë Demokratike, e cila është e ftuar të dialogojë mbi zgjedhjet, u ndoq me një reagim të menjëhershëm të demokratëve, të cilët u shprehën se janë të gatshëm të ulen në tavolinë, por kanë disa kushte.
E menjëherë pas këtij reagimi zyrtar, socialisti Gramoz Ruçi është shprehur në emër të koalicionit qeverisës mbi kushtet e opozitës.
Ruçi thekson se mazhoranca është e gatshme të dëgjojë e dialogojë, të flasë për pikat e propozuara nga opozita, të cilat duhet të parashtrohen në Kuvend. Ai shpreh rëndësinë e të dialoguarit të dy palëve për reformat e mëdha në interes të vendit.
“Mazhoranca ka qenë dhe mbetet e gatshme për dialog me opozitën. Ne jemi të gatshëm të ulemi në Kuvend, në komisione apo ku të dojë PD. Qeveria dhe opozita duhet të dialogojnë për reformat e mëdha. Duhet të dialogojnë gjithmonë për reformat dhe cështjet në interes të vendit. Katër kërkesat e opozitës jemi të gatshëm t’i diskutojmë në Kuvend. Ka shumë për të folur për pikat e propozuara nga opozita.”, mësohet të jetë shprehur ndër të tjera Ruçi. (XH.A/SHUPLAKA)