Në laboratorët e Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV), ekspertët akredituan 1909 teste përgjatë vitit 2024, ose 171 teste më shumë se objektivi i vendosur për vitin 2024.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, bëri të ditur se avancimet teknologjike në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, ndërtuar sipas standardeve të biosigurisë së BE-së, ashtu sikurse testet e akredituara garantojnë sigurinë dhe cilësinë ushqimore në tryezat e qytetarëve, si dhe orientojnë eksporte të sigurta të produkteve drejt BE-së, duke forcuar besimin tek marka “Made in Albania”
“Arritja e 1909 testeve të akredituara në ISUV, nga 6 teste që ishin në vitin 2013, janë garanci e fortë për sigurinë ushqimore dhe siguri për çdo konsumator”, theksoi Denaj.
Testet e akredituara janë indikatori i matjes së besueshmërisë lidhur me kontrollet mbi cilësinë e produkteve dhe nënprodukteve shqiptare ose atyre të importuara. Konkretisht këto teste të reja përfshijnë kontrollin e mbetjeve të pesticideve në produktet me origjinë bimore dhe shtazore.