Gjykata e Tiranës ka vendosur që të pushojë hetimet për ish-kreun e KQZ-së Denar Biba, për akuzën “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 245/1 i Kodit Penal, pasi fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale.
Denar Biba u akuzua se shantazhoi gjykatësin e Strasburgut Ledi Bianku.
Nga hetimet e kryera është pyetur vetë ish kreu i KQZ, Denar Bib, i cili ka sqaruar “se premtimet se po i ofronte ndonjë vend pune Biankut, janë qesharake”
“Kjo ishte një flluskë e madhe e një pjese të politikës shqiptare”, thotë Biba.
Hetimet për këtë rast u ndoqën nga prokurori Adriano Dyrmishi, i cili kërkoi edhe nga gjykata të miratojë pushimin e hetimeve. Prokurori tha se Ledi Biankun nuk është marrë dot në pyetje pasi nuk ndodhet në Shqipëri.
“Bianku ka qenë në Shqipëri 9.8.2018 u largua më 25.8.2018”, thotë prokurori.
Gjykata miratoi pushimet e hetimit për Bibën më 15 shkurt 2019
Në përgjim flitej për mundësinë e shtyrjes së vendimeve për çështjen e pronave mes shtetit dhe qytetarëve shqiptarë në vitin 2014, dhe dalloheshin fjalët e nënkryetarit të KQZ-së, i cili thotë:
“A të ndalon më ky tren në stacion? Të ngelesh pa punë dhe ç’të vajti sakrifica! Njeriu bën kompromise në jetë.” (LEXO KËTU)
“Gjykata vlerëson se, vepra penale e “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 245/1 i Kodit Penal, kërkon si formë faji dashjen e drejtëpërdrejtë, dhe e rëndësishme është që autori i saj të veprojë me vullnet dhe ndërgjegje të plotë për të ndikuar në veprimtarinë e një subjekti funksionar publike me qëllim përfitime të parregullta për vete ose për persona të tjerë, veprime të cilat cënojnë të autoritetin e shtetit dhe veprimtarinë e rregullt të organeve të tij (dashja direkte).
Gjithashtu, gjykata vlerëson se, ana subjektive e figurës së veprës penale zbulohet dhe qartësohet nëpërmjet anës objektive, sepse proceset e brendshme psikike dhe psikologjike jo vetëm që ngacmohen nga faktorë të jashtëm, por edhe materializohen në veprimtarin kriminale gjatë dhe nëpërmjet procesit të zhvillimit të anës objektive. Kështu, në plotësim të këtij elementi gjykata çmon se gjatë gjykimit nuk provohet që shtetasi Denar Biba të ketë kryer faktin për të cilin është regjistruar procedim penal.
Në këto kushte, përderisa nuk provohet se shtetasi Denar Biba ka kryer ndonjë veprim të paligjshëm në kuptimin penal, atëherë nuk provohet as faji, pasi nuk provohet si elementi intelektual ashtu dhe ai volutiv, që të ekzistojë faji si element thelbësor i përgjegjësisë penale”, thuhet në një pjesë të vendimit të Gjykatës.