Gjykata Kushtetuese ka sqaruar vendimin për kthimin e dosjes në Gjykatën e Lartë, për rigjykimin e ish-kreut të Bandës së Durrësit, Aldo Bare.
Kushtetuesja sqaron përmes një njoftimi për mediat se nuk është rrëzuar dënimi i përjetshëm, por në dosje janë konstatuar shkelje të lirive të individit dhe për këtë arsye Gjykata e Lartë duhet ta rigjykojë edhe njëherë dosjen e Bares.
Deklarata e plotë e Gjykatës Kushtetuese:
Gjatë ditës së djeshme dhe sot Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se në disa media të shkruara dhe elektronike është publikuar lajmi se Gjykata Kushtetuese ka anuluar vendimin e dënimit me burgim të përjetshëm të të dënuarit Aldo Bare. Në këtë situate, Gjykata Kushtetuese vlerëson të informojë mediat dhe publikun si më poshtë vijon:
Gjykata Kushtetuese në datën 08.02.2017 ka vendosur: “Pranimin pjesërisht të kërkesës. Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të vendimit nr.00-2015-2087, datë 02.07.2015 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. Dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën e Lartë”.
Aktualisht, çështja ndodhet në fazën procedurale të shpalljes të vendimit, konform parashikimeve të ligjit procedural dhe në përputhje me afatin ligjor, dhe menjëherë pas shpalljes vendimi do të jetë në dispozicion të palëve në proces dhe publikut.
Për sa më sipër, sqarojmë se Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar vendimin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë dhe e ka derguar çështjen për rishqyrtim në Gjykatën e Lartë. Vendimi i saj nuk ka cenuar vendimarrjen e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe të Apelit për Krimet e Rënda, nga ku rezulton se kerkuesi është dënuar me burgim të përjetshëm.
Duke marrë shkas nga sa më lart u kërkojmë mediave që përpara se të publikojnë lajme që lidhen me institucionin e Gjykatës Kushtetuese të konsultohen me strukturën përgjegjëse të këtij institucioni – Drejtorinë e Marrëdhënieve me Publikun dhe Jashtë – e cila është gjithmonë e hapur për të bashkëpunuar me qëllimin e vetëm të informimit të saktë të opinionit publik dhe shmangien e keqkuptimeve të rastit.