I ftuar në intervistën e Fax News, avokati Skerdjan Dhuli foli rreth dënimit me 2 vite burg të kryebashkiakut të zgjedhur të Bashkisë Himarë, Fredi Beleri.
Dhuli e komentoi vendimin e Gjykatës së Posaçme si një vendim të nxitur politikisht. Sipas tij, SPAK nuk ka pranuar asnjë kërkesë të zotit Beleri, duke shkelur kështu procesin e rregullt ligjor dhe gjyqësor. Ai tha se SPAK e ka trajtuar zotin Beleri si një të burgosur politik.
“SPAK nuk ka pranuar asnjë kërkesë të zotit Beleri. Nuk kanë pranuar as ballafaqimin e tij me videot e siguruara, as nuk kanë pranuar kërkesën e tij për dëshmitar. Ata e kanë trajtuar atë si të ishte i burgosur politik”, tha Dhuli.
Dhuli tha se nga ana e avokatëve është paraqitur pretendimi se janë falsifikuar prova dhe fakte.
Gjatë intervistës, ajo që Dhuli e cilësoi si absurde, ishte se janë përgjuar shumë individë të cilët nuk kanë patur asnjë lidhje konkrete me çështjen.
“Janë vendosur shumë persona në përgjim. Jam përgjuar unë, është përgjuar vëllai im, i cili është mekanik, është përgjuar shtabi i Partisë Demokratike. Këto veprime, SPAK-u i ka cilësuar si të ligjshme. Absurde!”, tha Dhuli.
“Kemi kaluar në një drejtësi të re joprofesionale“, shtoi ai.
Dhuli shtoi se Prokuroria e Posaçme nuk e ka kryer siç duhet detyrën e saj dhe nuk ka gjetur as edhe një provë të re për t’i mbështetur akuzat e saj, duke mbështetur kështu argumentin e tij se i gjithë ky proces është i nxitur politikisht.
I pyetur nga gazetari Albi Rakip se sa dëme i shkaktohen marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Greqisë nga ky vendim i Gjykatës, Dhuli u përgjigj:
“Vendimi i Gjykatës ndikon shumë. Unë e kam deklaruar dhe më parë që Ramës nuk i intereson anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian. Për këtë arsye ai sajon dosjet duke e ditur se Beleri mbështetet nga Greqia.”
Përsa i përket çështjes së anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, Dhuli tha se lirimi i Fredi Belerit do të ishte zgjidhja më e mirë.