Avokati Ndue Pjetra ka qenë i ftuar mëngjesin e sotëm në studion e lajmeve në Fax News, ku ka komentuar dënimin e Saimir Tahirit për shpërdorim detyre me 5 vite burg, që do ti konvertohet në 3 vjet e katër muaj burg shërbim prove.
Pjetra u shpreh se Gjykata ka gabuar në dhënien e vendimit, duke ndryshuar dhe akuzën e prokurorisë, pasi sipas tij Krimet e Rënda nuk kanë në juridiksion që të trajtojnë çështjet që lidhen me shpërdorimin e detyrë.
Ca më tej avokati shton se prokuroria është treguar shumë e dobët në paraqitjen e provave në Gjykatë, të cilat ishin mbështetur tërësisht në përgjime.
Pjetra tha se në nisje të procesit hetimor ndaj Tahirit, qëllimi i ndërkombëtarëve ishte që ai të shërbente si një karrem për shpërbërjen e të gjithë zinxhirit të trafikut, por mesa duket ‘’prokurorisë i humbi grepi gjatë rrugës”.
“Vetë prokuroria nuk e ka kërkuar dënimin e tij. Gjykata e Krimeve të Rënda nuk ka juridiksion që të japë dënim për shpërdorim detyre. Nuk ka gjykatë në bote që ta dënojë Tahirin me shpërdorim detyre.
Ta themi në gjuhë popullore qëllimi i ndërkombëtarëve ishte që Tahiri të shërbente si një peshk i vogël për të kapur peshq të tjerë më të mëdhenj. Prokuroria e hiqi grepin rrugës, gjykata nuk mund ta dënonte me ato prova që iu vunë në dispozicion.
Derimë sot nuk ka pasur një rast të tillë që vetë Gjykata të japë një dënim, me një akuzë të tjetërsuar, kjo do të krijojë një precedent të ri dhe në vetë radhët e gjyqësorit. Si mund të dënohej Tahiri, sa kohë që hetimi ndaj tij ishte politik. Tahiri nuk kishte firmosur asgjë, që të dënohej për shpërdorim detyre, nuk kishte vendime që mbanin firmën e tij që të përballej me këtë akuzë”, u shpreh Pjetra.
Avokati shkoi deri aty sa bëri dhe një parashikim për fatin politik të Saimir Tahirit: Dihej shumë mirë që ai nuk kishte faj, shumë shpejt ai mund te jetë kryeministër i Shqipërisë.
Duke iu rikthyer marrëdhënies së Tahirit me Habilajt, Pjetra tha se ligjërisht Tahiti është i pafajshëm pasi prokuroria ka pasur një mungesë të theksuar vullneti për të provuar akuzat ndaj tij.
“Ligji e ka të parashikuar qartë se unë nuk jam i detyruar që të bëj kallzim penal për kushërinjtë e mi, nuk mund të akuzohet për këtë.
Tahiri është i mbytur në llumin e drogës së Shqipërisë, nëse marrim anën jologjore, por duhej të kapej me prova ligjore, a ka dashur prokuroria që kjo të ndodhte, këtu ngrihej pikëpyetja.
Provat për implikimin e Tahirit kanë qenë, po sesa u janë servirur gjykatës kjo është një çështje tjetër. Ka qindra taksistë që janë në burg, se kanë transportuar trafikantë dhe gjenden sot në burg, kur vjen puna te një person kaq i rëndësishëm mungonin provat e dokumentuara.
Vetingu është bërë vetëm për të selektuar njerëzit e tyre në postet kyçe”, deklaroi Pjetra.
Duke u ndalur te dënimi i gjykatës, për shpërdorim detyre, pasi Tahiri i kishte kërkuar ndihmë një oficeri policie kur i rrezikohej jeta në det, Pjetra tha se në këtë rast ligji nuk do ta dënonte.
Më tej avokati u shpreh se ky vendim është një grusht që iu jepet ndërkombëtarëve në vendin tonë, të cilët pretendojnë se Reforma në Drejtësi do të zgjidhë gjithçka në vendin tonë.
“Në rastin konkret Saimir Tahiri nuk duhet të akuzohet për shpërdorim detyre, pasi ai është gjetur në mes të detit me skaf, dhe normalisht duhej ti kërkonte ndihmë dhe specialistëve shqiptarë. Nuk mund të dënohet një njeri që i rrezikohej jeta.
Në të gjitha vendet e botës kur jepet vendimi i Gjykatës pritet mirë nga të gjithë, këtu te ne vendimet janë kontradiktore.
Ky ishte një grusht i fortë që iu dha ndërkombëtarëve, për të thënë se të gjithë këta që kanë kaluar Vetingun janë ata që nuk duhet ta kalonin.
Gjykimi i shkurtuar ishte thelbi i së gjithës, nëse do të arrinin që të merrnin prova, situata do të ishte shumë ndryshe, Gjykata me këto prova bëri gabim që e dënoi, pasi nuk kishte asnjë fakt ligjor që ta bënte atë që të dënohej”, përfundoi Pjetra argumentet e tij.
(E.K/Faxweb.al)
Discussion about this post