Është dënuar me 9 muaj burg, që do të konvertohet në 18 muaj shërbim prove, ish-gjyqtari i Gjykatës së Lartë Admir Thanza. Ai u akuzua për fshehjen e një dënimi në Itali, për vjedhje, gjetje kjo që iu konstatua gjatë procesit të Vetingut.
Pas kësaj Prokuroria nisi menjëherë hetimet, sapo gjyqtari i lartë u shkarkua nga detyra jo vetëm për gjetjet e ONM-së mbi këtë fakt, por edhe për problemet me pasuritë.
Admir Thanza mohoi të kishte vjedhur në Itali, por rrëfeu se e kishte marrë përsipër krimin për të shpëtuar nipin e sëmurë, për të cilin nuk kishte kush kujdesej.
Thanza ka qenë pjesë e drejtësisë që prej vitit 1992, me një karrierë në ngjitje, nga Shkodra në Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë, apo Këshillin e Lartë të Drejtësisë, si dhe në jetën akademike, një karrierë e cila u shkërmoq bujshëm pas gjetjeve të paparashikuara të vettingut.
Thanza bëhet në këtë mënyrë gjyqtari i parë që dënohet në sajë të procesit të Vetingut.
(E.K/Faxweb.al)