Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka reaguar ndaj lëvizjes se presidentit të Rusisë, Vladimir Putin për njohjen e republikave të vetëshpallura në Ukrainën Lindore, pra, “Republikën Popullore të Donetskut” dhe “Republikën Popullore të Luhanskut”.
Ai ka thënë se lëvizja e Rusisë për njohën e “pavarësisë” të ashtuquajturave republika, është akt i paparashikueshëm dhe i turpshëm.
”Ne dënojmë me forcë vendimin e Presidentit Putin për të njohur të ashtuquajturat “Republika Popullore të Donetskut dhe Luhanskut” si “të pavarura”. Siç thamë kur Duma bëri kërkesën e saj për herë të parë: ky vendim përfaqëson një refuzim të plotë të angazhimeve të Rusisë sipas marrëveshjeve të Minskut, kundërshton drejtpërdrejt angazhimin e pretenduar të Rusisë ndaj diplomacisë dhe është një sulm i qartë ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës”, ka deklaruar Sekretari i Shtetit Antony J. Blinken.
Ndërkohë që sot presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Joe Biden nënshkroi një Urdhër Ekzekutiv për t’iu përgjigjur veprimit të Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin për të njohur të ashtuquajturat Republikat Popullore të Donetsk dhe Luhansk si shtete të pavarura.
Urdhri Ekzekutiv parashikon sanksione ndaj personave dhe entiteteve ruse si dhe ndalon tregtinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me këto rajone.
Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë shkruhet se “veprimi i Presidentit Putin bie ndesh me angazhimet e Rusisë sipas marrëveshjeve të Minskut, hedh poshtë përkushtimin e pretenduar të Rusisë ndaj diplomacisë dhe minon sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”, shkruan A2.
Urdhri Ekzekutiv ndalon:
-Investimet në të ashtuquajturat rajone Donbas ose Luhansk të Ukrainës nga një person i Shteteve të Bashkuara, kudo që ndodhet.
-Importimin në Shtetet e Bashkuara, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo malli, shërbimi ose teknologjie nga këto rajone.
-Eksportimin, rieksportimin, shitjen ose furnizimi, drejtpërdrejt ose tërthorazi, nga Shtetet e Bashkuara, ose nga një person i Shteteve të Bashkuara, kudo që ndodhet, i çdo malli, shërbimi ose teknologjie në të ashtuquajturat rajone DNR ose LNR të Ukrainës.
-Megjithatë, Departamenti i Thesarit po lëshon licenca për të siguruar që aktivitetet humanitare dhe aktivitetet e tjera të ngjashme mund të vazhdojnë në këto rajone.