Një nga problemet më të mëdha që hasin familjet që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara është edhe arsimimi i tyre. Shpeshherë për tan ë shkolla nuk ka mësues përgjegjës dhe ata detyrohen të jenë në të njëjtën klasë me fëmijët e tjerë edhe pse aftësitë e tyre kërkojnë trajtim specifik. Ky rast është marrë në vëzhgim edhe nga emisioni ‘’BOOM’’.
Në vitin 2014 është hartuar një projekt shumë i mirë i qeverisë për të pasur mësues ndihmës në shkollat ku shkojnë fëmijët me aftësi të kufizuara.
Përgjegjësja në Drejtorinë e Arsimit Parauniversitar në ministri tha se janë 3200 fëmijë me aftësi ndryshe dhe 230 mësues ndihmës. Vetëm në Tiranë tha ajo janë 20 mësues, ndërkohë që ka mungesë të këtyre mësuesve në rrethe.
Gazetarja e “BOOM” bëri një vëzhgim në tre shkolla “Vasil Shanto”, “1 Maji” dhe “Misto Mame”. Nga ky vëzhgim mësues, por edhe prindër pranojnë se rolin e mësuesit ndihmës e bën ose mësuesi i lëndës, ose prindërit detyrohet të paguajnë vetë mësues.
Shkolla Vasil Shanto, Tiranë
Gazetarja: Janë 11 fëmijë, ju sa fëmijë trajtoni?
Mësuesi i Kimisë: Unë tre fëmijë trajtoj
Mësuesi i Kimisë: Nuk jam i profilit e kupton?
Gazetarja: Po mirë pagesën si e merrni ju, si mësues mbështetës apo si mësues kimie? Merrni plus për punën që bëni me këta fëmijë?
Mësuesi i Kimisë: Jo jo
Gazetarja: Vetëm rrogën tuaj
Mësuesi i Kimisë: Unë marr rrogën time
Shkolla “1 Maji”
Në shkollën 1 Maji mësojnë disa nxënës me nevoja të veçanta, zgjidhja që kanë gjetur disa nxënës është: Ose i kanë lënë në klasa dhe ata trajtohen njësoj si të gjithë nxënësit e tjerë pa mësues mbështetës, ose kanë mësues mbështetës privatë dhe në rastin më të mirë rolin e mësuesve mbështetës e kryejnë edhe prindërit të cilët shkojnë dhe qëndrojnë për gjatë gjithë orëve të mësimit në këtë klasa.
Arjana Maçi, Drejtoreshë e Shkollës “1 Maji”: Për vitin shkollor 2016-2017 janë identifikuar 7 nxënës me aftësi ndryshe. Ne jemi munduar që të bëjmë një gjë pak më ndryshe se nga shkollat e tjera. Jo vetëm duke i mbajtur në klasë duke i dhënë atë që duhet, por ne na ka pëlqyer sidomos për fëmijët me sindromën doën që përveç pjesës së mësimit orët e edukimit fizik, të muzikës, të vizatimit ti bëjmë më shumë sesa të tjerët. Ne kemi zgjedhur mënyra të ndryshme edhe me mësues praktikantë në klasë ku ka një fëmijë që mund jetë hiperaktiv. Aty është edhe një praktikante, ajo duke mësuar zanatin e mësuesit merr dhe këtë pjesën tjetër. Ka disa prindër që janë pjesë e shkollës që vijnë cdo ditë nga ora e parë deri në orën e 4. Ka nga ata që vijnë vetëm dy orë, mendojnë që fëmija e tyre të jetë me psikologun, psikiatrin, ka edhe nga ata që kanë sjellë psikologë që i mbështesin fëmijët e tyre, kush ka mundësi ekonomike e ka sjellë vetë.
Shkolla “Misto Mame”
Në Shkollën “Misto Mame” mëson një nxënëse shumë e veçantë, ajo është Xhoana.
Gazetarja: Në çfarë klase mëson?
Xhoana: Unë mësoj në klasën e 6-të
Gazetarja: Cila është lënda që të pëlqen më shumë
Xhoana: Vizatim
Nxënëse: Kur ne bëjmë zhurmë ajo qan
Nxënëse: Mësuesja na ka thënë që çdo javë do të ndrohemi dhe do rrimë me Xhoanën që edhe ajo të bëhet shoqe me të gjithë.
E ëma e Xhoanës: Për ta sjellë në shkollë e sjell vetë, edhe për ta marrë vetë kjo më pengon shumë sepse unë kam edhe probleme të tjera të rëndësishme. Unë nuk jam e aftë të punoj edhe nëse do gjëj punë nuk mundem. Vajza është në klasën 6-të po rritet dhe është e vështirë ta lë vetëm.
Gazetarja: Në klasën ku mëson Xhoana rolin e mësuesit ndihmës kush e bën?
E ëma e Xhoanës: Mësuesja e vetë. Këtu kemi marrë shumë të mira nga ana sociale. XHoana është bërë më e shkathët, më e dashur, më e kuptuar, i kupton gabimet.
Gazetarja: Po më tej do ta vazhdoni këtë nismën tuaj.
E ëma e Xhoanës: Kjo më tremb, sepse kur të futet në shkollën e mesme unë kam frikë.
Gazetarja: Nëna kë prisni këtu?
E moshuara: Mbesën.
Gazetarja: Sa vjeç është mbesa ?
E moshuara: 15
Gazetarja: Sa kohë ka që vazhdon shkollën?
E moshuara: Po në klasën e 9-të është, por ka probleme
Gazetarja: Ajo ka një mesuese të vecantë në shkollë?
Gazetarja: Jo jo si të gjithë të tjerët.
E ema e një vajze me aftësi ndryshe: Psikologia e shkollës më tha që Brikenën e ke shumë të zgjuar, thjesht do një terapiste që ka mbaruar terapinë ABA. Unë atë terapisten e kam marrë brenda lekëve të kembit që e paguaj tre herë në javë që rri tre orë.
Rozalba Merdani, përgjegjëse në Drejtorinë e Arsimit Parauniversitar: Udhëzimi që ju flisni ka dalë që në tetorin e 2014. Me të dalë ky udhëzim ka filluar dhe emërimi i mësuesve ndihmës për fëmijët me aftësi të kufizuara. Udhëzimi parashikon që mësuesi ndihmës të përcaktohet ose emërohet për nxënësit me aftësi të kufizuar pas të kenë kaluar në vlerësimin që bën komisioni multidisiplinar që ngrihet pranë drejtorive arsimore. Janë këto subjekte që bëjnë vlerësimin e nevojës së fëmijëve për tu trajtuar me mësues ndihmës. Nuk ka një numër të caktuar sesa nxënës duhet të ketë një mësues, kjo është në varësi të gjendjes që ka fëmija dhe vendimit që merr komisioni pranë drejtorisë arsimore. Ne kemi rreth 3200 fëmijë me aftësi të kufizuar dhe kemi 230 mësues ndihmës.Kemi edhe në rrethe që ka fëmijë me aftësi të kufizuar dhe nuk kanë arritur të emërojnë mësues ndihmës. Kjo sepse mësuesit ndihmës përcaktohen brenda numrit të miratuar të mësuesve për drejtoritë arsimore dhe përzgjidhen ato mësues që kanë edhe kualifikime. Për herë të parë kemi rreth 20 mësues ndihmës në Tiranë, ne në shkolla kemi mësues të arsimuar për të punuar me nxënësit, por jo mësues të posaçëm për punën me nxënësit me aftësi të kufizuar dhe mundësitë nuk janë aq optimale. Kjo do vijë në mënyrë graduale, ku mësuesit do jenë më të kualifikuar.
Discussion about this post