Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka reaguar pas ngjarjeve të fundit, ku Rexhep Rrahja, djali i deputetit socialist Rrahman Rrahja, ka dhunuar një 25 -vjeçare. Ndërkohë për të njëjtën ngjarje nënkomisari Emiljano Nuhu, hedh akuza ndaj djalit të deputetit se në shoqërinë e të atit, kreut të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla dhe kreut të Bashkisë Krujë Artur Bushi, e ka kërcënuar që të mos regjistronte denoncimin e shtetases Xhisiela Maloku.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Manjani shprehet se denoncimi që po bëhet nga oficeri Nuhu është i dyti pas atij të bërë nga Dritan Zagani.
Ndërkohë shprehet se ky është kulmi i degjenerimit të pushtetit së sipas tij sillet si pushtues.
“Emiljano Nuhu është i dyti oficer policie pas Dritan Zaganit, që denoncon një krim shtetëror!
Në të dy rastet Rilindja ndëshkon denocuesit, me të njëtën metodë e teknologji. Madje edhe me të njëjtat fjalë: “e bëjnë për azil”… Përtojnë të shkruajnë, thjesht ndryshojnë emrat e deklaratave të mëparshme!
Kulmi!
Përvoja tregon se oficerët që denoncojnë, kanë të drejtë…
Ky është degjenerim ekstrem i pushtetit që sillet si pushtues!”, – shkruan Manjani.
(B.B/ Faxweb.al)