Vonesat nga kompania e fluturimeve “Blue Panorama” po shkaktojnë shqetësime të mëdha tek qytetarët të cilëve udhëtimet e planifikuara u shtyhen herë pas here, dhe për këtë askush nuk jep përgjigje apo mban përgjegjësi.
Kështu, vetëm pak ditë pasi mediat raportuan për vonesat e fluturimeve në Rinas dhe irritimit të qytetarëve, sërish një tjetër denoncim ka mbërritur sot në redaksinë e ‘Faxweb.al’ nga një qytetar ku shkruan se ai së bashku me familjen e tij do të udhëtonte nga Italia për në Shqipëri në një varrim, por nuk kanë mundur të vijnë pasi fluturimi i parashikuar më 3 shtator në orën 09:15 minuta është shtyrë për në orën 14:15 minuta.
Qytetari ka treguar dhe biletën të cilën e kishte prerë vajtje-ardhje ku siç shihet ai do të nisej në datën 3 shtator nga Malpensa në orën 09: e 15 minuta, ndërsa mbërritja parashikohej në orën 11:10. Ai 1 ditë më pas, më 4 shtator, do të kthehej në Itali.
Por ky udhëtim nuk u realizua asnjëherë për shkak të shtyrjes nga kompania “Blue Panorama”. Edhe pse kanë kaluar tre ditë askush nga kjo kompani nuk ka kthyer përgjigje apo mbajtur përgjegjësi për pasagjerët e saj. (B.H/Faxweb)