Një ditë pas rënies së zjarrit në Bibliotekën Kombëtare, dalin në shesh disa të fshehta të frikshme lidhur me institucionin dhe punën e tij ndër vite. Një punonjëse pranë këtij institucioni, e cila nuk dëshiron të identifikohet për momentin për arsye sigurie, tregon për “Shuplaka-n” dyshimet e saj mbi autorët e vërtetë që fshihen pas zjarrit por edhe për të tjera të fshehta të këtij institucioni.
Sipas punonjëses, prej vitesh ky institucion nuk ka bërë një inventar fizik të librave, madje drejtoresha Persida Asllani nuk ka dhënë asnjë urdhër mbi ngritjen e komisionit për inventar fizik të librit.
“Ju bëj me dije se inventari fizik i librit ka vite pa u bërë. Drejtoresha aktuale nuk ka dhënë deri më sot asnjë urdhër për ngritjen e komisionit për inventar fizik të librit. Sektori i verifikimit është inekzistent. Punonjësit marrin rrogë por s’futen në fond të librit për verifikim. Zjarri është vënë nga militantë rilindas për të zhdukur humbjen e shumë librave në vite. Drejtoresha dhe nëndrejtoresha z.Domi mbi 20 vjet në këtë detyrë janë krye mafioze. Ju lutem zhdukni mafien nga ky institucion.”, tregon punonjësja për “Shuplaka-n”.
E pyetur nga “Shuplaka” për vlerën e librave që humbën nga zjarri i djeshëm, punonjësa bën me dije se bëhet fjalë për libra të rrallë dhe dokumenta të vjetër, por që ende nuk dihet numri i tyre për shkak të mungesës së kryerjes së një inventari.
“I gjithë fondi i librave të Biblotekës duke filluar nga antikuaret, librat e rrallë, fondi i albanologjisë, libra shumë të vjetër me gurë të çmuar në nëpër kapakë, harta, dokumenta të vjetër… të gjithë librat me vlera shumë të mëdha. Vlera kontabël e librit dihet por vlera fizike jo sepse ka vite pa inventar pa verifikim në sektorin e fondit janë edhe të gjithë periodikët.”, sqaron punonjësja për “Shuplaka-n”.
Më tutje mësojmë se protokolli i alarmit nuk është zbatuar dje në Bibliotekën Kombëtare dhe as punonjësit nuk janë lajmëruar në kohë për t’u larguar në kohë nga vendngjarja pasi ka rënë zjarr.
“Shefi i Administratës nuk e ka ulur automatin e korrentit duke mos ditur çfarë mund të bënte. Automati është ulur me vonesë nga dy djemtë e IT-së së bibliotekës dhe punonjësit nuk janë lajmëruar për t’u larguar menjëherë.”, shton punonjësja.
Ndërkohë që gjithë këto peripeci kanë ndodhur një ditë më parë, ndërkohë që shumë libra të rëndësishëm janë shkrumbuar dhe vlera e tyre as nuk dihet ende për shkak të mungesës së një inventari, drejtoresha Asllani tha se situata ishte nën kontroll dhe nuk ishin pësuar dëme të mëdha, pasi dëme kishin pësuar vetëm libra të vjetër. Por ajo nuk sqaroi atë që ishte më e rëndësishme, vërtet janë djegur libra të vjetër, por ky institucion nuk e di fare se për çfarë numri të librave të vjetër bëhet fjalë.
“Mbi 5 orë zjarr dhe gjithë ato zjarrfikëse nuk mund të jenë djegur vetëm 3 rafte libra. Drejtoresha doli menjëherë në konferencë duke bërë bilancin dhe duke qeshur sikur s’ka asgjë për t’u shqetësuar. Ku e bëri bilancin?!”, tregon punonjësja.
“Shuplaka” mëson edhe një tjetër detaj mbi ngjarjen. Pavarësisht se tre vjet më parë ishte parashikuar një projekt për zgjerimin e Bibliotekës Kombëtare, ai nuk është zbatuar ende deri më tani.
“Ministria Kumbaro ditën që erdhi në Bibliotekë për të na prezantuar drejtoreshën e re para 3 vjetësh na premtoi shumë ndryshime duke na premtuar qe do zgjeroheshim edhe në katin e sipërm të Biblotekës por vetëm pas disa muajsh këtë kat nuk e dha për zgjerimin e BK por e mori Instituti Italian i Kulturës.”, zbulon punonjësja.
Punonjësja në fjalë tregon se është mbështetëse e palës së djathtë në politikë, dhe për këtë arsye drejtuesit e institucionit kërkojnë ta largojë nga puna, pavarësisht referencave të saj të mira. Madje prej disa kohësh, në këtë institucion ka patur lëvizje punonjësish dhe transferime detyrash, kjo për arsye politike. Janë liruar nga detyra punonjës të djathtë, për t’u liruar vendet atyre të majtë. Por këto lëvizje ende nuk janë zyrtarizuar.
“Gjatë një muaji akoma nuk janë bërë dot lëvizjet e dokumentave dhe dorëzimi i detyrave te Shefja e re sepse ka pasur parregullsi.”, sqaron punonjësja arsyet e moszyrtarizimit të emërimeve të reja në sektorin e fondit ku ra zjarri.
Ndërkohë, në punë vazhdojnë të jenë persona që duhej të kishin dalë prej vitesh në pension, por kjo nuk ka ndodhur.
“Drejtoresha mban në punë në pozicione shefash njerëz që janë 70 vjeç e që duhet të kishin dalë në pension sepse është pikërisht shefi i Biblografisë që i mbulon të gjithë ekspozitat dhe reklamat e punës së drejtoreshës. Nëpër inaugurime ajo dhe ministria rrezatojnë madhështi.”, vazhdon tregimi.
Zjarri i djeshëm ka përfshirë katin e nëndheshëm të Bibliotekës Kombëtare në kryeqytet dhe madje një punonjës u dërgua me urgjencë në spital, por e gjithë ngjarja u raportua si një ngjarje e zakonshme, sikur bëhej fjalë për një ndërtesë çfarëdo dhe jo për një institucion të rëndësishëm si Biblioteka Kombëtare ku ndodhen ato pak pasuri të Shqipërisë që u shërbejnë qytetarëve për dije dhe informacion. (D.D/Shuplaka)
Discussion about this post