Arben Frroku nuk do të gjykohet nga e para për dënimin me burg përjetë, që rëndon ndaj tij me akuzën e vrasjes së ish-kryepolicit të Kombinatit, Dritan Lamaj.
Ditën e sotme, Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e Arben Frrokut për rigjykim për shkelje kushtetuese.
Me katër vota pro dhe 2 kundër Kushtetuesja ka vendosur të rrëzojë kërkesën e vëllait të ish-deputetit Mark Frroku i dënuar nga Apeli i Krimeve të Rënda me burgim të përjetshëm për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj, ngjarje kjo e ndodhur më 25 shkurt 2013.
Arben Frroku u arrestua në Selanik për vrasjen e komisarit Lamaj, por arriti të fitonte pafajësinë në Gjykatën e Shkallës së Parë në 2015 dhe u arratis nga Shqipëria në momentin që çështja ndodhej në Apelin e Krimeve të Rënda.
Më pas, Apeli i Krimeve vendosi të prishë pafajësinë, duke vendosur dënim me burg përjetë.
Ky vendim nuk u ekzekutua, pasi gjatë kohës së pafajësisë Arben Frroku ishte larguar nga Shqipëria për t’u arrestuar shumë muaj më pas në Holandë, ku tashmë ndodhet në pritje të ekstradimit.
(B.H/Faxweb)
Discussion about this post