Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se për deportimin e 6 shtetasve turq nga Kosova në mars të këtij viti, ishte njoftuar nga një diplomat i huaj.
Gjatë raportimit para Komisionit Parlamentar për hetimin e këtij deportimi, Haradinaj tha se ka qenë në një takim kur një diplomat i huaj, të cilit ai nuk ia përmendi emrin, e kishte njoftuar për këtë deportim.
Ai tha se informatën e ka marrë “diku mes orës 11 dhe 12” në ditën e deportimit, ndërsa aeroplani me shtetasit turq ishte larguar nga Aeroporti i Prishtinës para orës 11:00.
Në një ditë me Haradinajn ishte planifikuar që të intervistohet edhe presidenti Hashim Thaçi por kryetari i këtij Komisioni Xhelal Sveçla tha se nga ana e presidentit nuk kanë marrë asnjë përgjigje në lidhje me raportimin e tij. (B.H/Faxweb)