Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka paralajmëruar rrëzimin e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, pas deportimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova, proces në të cilin dyshohet të jetë i përfshirë edhe ai.
Në një intervistë për “Insajderin”, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se nëse Presidenti Thaçi nuk do të shkarkohet përmes Kuvendit të Kosovës, ekziston edhe një rrugë tjetër: ajo e protestave.
“Siç e ka nisur presidenti me protesta, ka ardhur në pushtet me protesta dhe do rrëzohet. Me protesta është kundërshtuar emërimi i tij, e me protesta do të arrihet shkarkimi i tij”, ka thënë Selimi.
Madje synimin për rrëzimin e Thaçit nga pushteti, sipas Selimit, nuk do ta ndalojë as dhuna policore.
“Ne gjithmonë kemi besuar dhe vazhdojmë të besojmë në atë që e shtyjmë përpara. Besimin tonë nuk mund ta shkel as dhuna policore, e as kurrfarë santazhi. Prandaj ne besojmë dhe ia arrijmë”, ka thënë Selimi. “Presidenti ka shkel Kushtetutën dhe normat e bërjes së shtetit”.
Por, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se forma më e drejtë dhe legjitime për shkarkimin e Thaçit është ajo përmes Kuvendit të Kosovës.
Ai tha se Presidenti Thaçi ka shkelur Kushtetutën e Republikës së Kosovës në shumë raste.
Shkarkimi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi nuk do të mbetet vetëm në suazat e retorikës politike. Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë nisur një proces konkret, i cili do të ketë vetëm një qëllim: rrëzimin e Thaçit nga pushteti.
Deputetët kanë inicuar formimin e një Komisioni Hetimor, i cili do të mbledh fakte për shkeljet e Kushtetutës nga presidenti.