Mjekja psikiatre Arjana Rreli në një intervistë për Fax News është shprehur se stina e pranverës sjell një rritje të fluksit të personave që kërkojnë ndihmë, për probleme që lidhen me shëndetin mendor. Shenjat e para janë mungesa e gjumit, apo çrregullime të humorit, që sipas Rrelit nëse kapen herët mund të trajtohen më lehtë. Mjekja tha se në stinën e pranverës dyfishohen vizitat dhe kërkesat e qytetarëve për ndihmë, dhe sipas saj kjo lidhet me një sërë faktorësh edhe fiziologjikë.
“Ndryshimi i stinës, veçanërisht nga pranvera në verë, është sezoni që në popull quhet ndryshimi i gjakut. Është identifikuar përgjithësisht me një ulje të imunitetit, rënien e rezistencës, është periudha që ngacmohet shumë stomaku, gjendjet e ulcerave, shfaqjet e alergjive, dhe problematika që lidhen me shëndetin mendor. Lidhet me hormonet që pësojnë njëlloj revolucioni në pranverë, është hormoni i gjumit që bie ndesh me hormonin e humorit, është një lloj gjendje apatie, që vjen si pasojë e një gjumi të çrregullt. Është dhe teoria darviniste, ne tashmë ne dalim nga shpella, dhe nga gjithë këto ndryshime që hasim, e paguajmë me njëlloj kostoje trupore”, tha Rreli.
Faktorët që njerëzit shfaqin nervozizëm
“Më së shumti janë faktorë fiziologjikë, me ekspozimin e menjëhershëm ndaj dritës, çdokush nga ne kërkon që maksimumin e kapacitete ti shfrytëzojë që të kapë kohën. Ky hop që vjen në organizëm krijon këtë përplasje që reflektohet me gjendjen e ankthit.”
Grupmoshat më të prekura nga depresioni pranveror
“Nuk kapin nivelin depresion, janë më shumë luhatje humori, më së shumti prek moshat aktive, që mezi presin këtë sezon për të dhënë maksimumin e tyre. Më e prekura është gjinia femërore”.
Si ndikon informacioni që marrin qytetarët
‘Ka raste që informacionet që merren nga mediat janë shumë toksike. Informacionet që janë me përmbajtje negative patjetër që ndikojnë te secili prej nesh, ulen mekanizmat tanë mbrojtës, reflektohet ky lloj negativiteti edhe në të përditshmen tonë”.
A ndikon aktiviteti fizik në uljen e stresit
“Në stinën e Pranverës aktiviteti fizik në natyrë ndikon shumë mirë, pasi shtypen impulset negative. Patjetër që një jetë e shëndetshme, që lidhet edhe me një ushqyerje të shëndetshme, zarzavatet, frutat, frutat e thata, e ndihmojnë organizmin ta kalojë gjendjen më lehtë. Patjetër konsumimi i lëngjeve dhe ujit, të shmangim sa më shumë ekspozimin ndaj lajmeve të këqija, duhet të ketë kufizim të qëndrimin në telefon, apo përdorimi i teknologjisë. Ta kursejmë njëri tjetrin nga ankesat”.