Dy deputete e një deputet nga partia radikale serbe e Vojislav Seselj kanë fyer ministren e Infrastrukturës, njëkohësisht zëvendës-kryeministre e qeverisë serbe, Zorana Mihailovic, pasi kjo ju përgjigj akuzave të tyre për tradhti e korrupsion me një pllakat ku shkruhej ‘gënjeshtra radikalësh’.
Ata i kanë dhuruar një palë mbathje në sallën e parlamentit, në mes të seancës. Ishin deputetet Vjerica Radeta, Natasa Jovanovic dhe Ruzica Nikolic që ia bënë këtë “dhuratë” ministres. Ligjvënësi tjetër po nga radhët e radikalëve Milorad Mircic, i paketoi ato, thotë “Gazeta Express”.
Radikalët e akuzonin ministren e infrastrukturës për korrupsion, spiunazh dhe kapje të shtetit. Në seancë po diskutohej për projektin që do ndërtohet në korridorin e Moravës nga një kompani kineze në vlerë prej 800 milionë euro.
Radikalët pretendojnë se 300 milionë prej asaj vlere janë shtuar në kontratë për t’u vjedhur më pas. Tre herë e ndërpreu seancën drejtuesi I saj, por radikalët nuk u qetësuan, e më tej nxorën mbathjet e ia dërguan ministres. Kryetari i parlamentit serb i lëshoi një vërejtje.